09:28 - 21 Maj 2022

Shkruan: Daut Dauti

Gjatë nëntorit të vitit të kaluar në Gjilan shkova në një bankë ku kisha një llogari të hapur qëmoti. Kishte më shumë se një dekadë që nuk e kisha përdorur llogarinë dhe kartelën e kisha hudhur pasi që i kishte skaduar afati. Kartelën e kisha përdorur në disa vende të rajonit (Ballkanit), por edhe në Perëndim, përfshirë Britaninë.

Përdorimin e saj e ndala kur llogarita se më nuk kisha më shumë se 300 apo 400 euro në të. Këto do të ishin para që do të qëndronin aty për çdo rast e më shumë për ta mbajtur llogarinë të hapur. Kështu mendoja unë duke u bazuar në mënyrën se si funksionojnë bankat në Britani e gjetiu në botë.

Në Kosovë bankat kanë roje me uniformë që qëndrojnë te dera. Kjo është diçka e pazakonshme që nuk shihet as në filmat western të Perëndimit të Egër. Sidoqoftë, njëri prej tyre më ndali dhe pasi që ia tregova hallin, më drejtoi ku të prisja. Qëndroja ulur dhe e pritja radhën.

Pasi që prita gjatë, pata kohë ta vështroja brendinë e bankës. Para meje, tri apo katër metra larg, qëndronte një shtyllë në formë cilindri që e mbante tavanin e bankës. Shtylla dukej që ishte lyer frik me bojë të bardhë. Por, boja kishte rjedhur në fund dhe mbi pllakat që e rrethonin vertikalisht kishte krijuar stalaktite.

Bojaxhiu nuk ishte munduar ta fshinte rrjedhën e tepërt të bojës. I vështroja edhe pllakat e dyshemesë. Nuk ishin në vijë. Pastaj, i vështrova orenditë dhe punëtoret që nga koka e deri të gishtat e këmbëve. Kisha kohë se radha nuk më vinte. Njerëzit vinin e shkonin dhe disa më shikonin. Ndoshta më njihnin, por nuk ishin të sigurt se isha unë për shkak se nuk më shihnin shpesh, por më shumë për shkak të maskës që e mbaja sikur tjerët.

Kur më erdhi radha, ia tregova hallin punëtorës që më priti. I thashë se dëshiroj kartelë të re. Ajo, pasi i mori informatat e duhura nga unë, hulumtoi një kohë në kompjuterin e saj. Pas një kohe u drejtua nga unë dhe më tha se llogaria ime ishte e mbyllur dhe se nuk kisha më para në të. Madje, më tha se unë ia kisha borxh bankës 120 euro.

E pyeta se si është e mundur kjo gjë? Ajo e spjegoi gjendjen. Më tha se banka më ngarkon me pagesë 2.5 euro çdo muaj për shërbimet që m’i bënë për mirëmbajtje të llogarisë kurse tjerat ishin ngarkesa që unë e kisha përdorur kartelën jashtë Kosovës. Me fjalë tjera, pa dijeninë dhe pa lejen time, banka m’i kishte marrë pothuaj 500 euro duke e llogaritur edhe shumën që kisha hyrë borxh.

‘Për çfarë shërbime është fjala kur unë nuk e kam përdorur kartelën për më shumë se një dekadë? Ju nuk më keni bërë asnjë shërbim. Më paskeni plaçkitur’ – i thashë.

‘Kështu janë rregullat e bankës’ – ishte përgjegjja e saj.

‘Nuk janë këto rregulla të bankës. Janë mënyra të plaçkitjes. E di unë se si funksionojnë bankat’ – ia ktheva.

Ajo e humbi një trohë durimin dhe pak sa u habit. Prandaj, me tendencë që të m’i angllatiste rregullat bankare m’u drejtua me ‘o zotëri’, por u ndal kur unë ia tregova dorën në shenjë të stopit. Sa herë që në Kosovë nga zyrtarët e dëgjoj shprehjen ‘o zotëri’ më tingëllon sikur ‘o idiot ose o hajvan’. Noshta edhe isha ‘idiot dhe hajvan’ sepse i kundërshtova rregullat dhe bankën guxova ta quaj plaçkitëse. Kushedi? U ngrita dhe dola pa e rregulluar çështjen time.

Unë dëshiroj që gjërat në Kosovë të funksionojnë sikur në Angli. Banka ime në Londër nuk më merr para për asgjë, pos nëse unë e thej marrëveshjen e kufirit të harxhimeve. Por, kështu jemi marrë vesh dhe unë nuk kam pse të ankohem. Madje, e kam një xhirollogari në një bankë të njohur britanike e botërore, të cilën nuk e kam përdorur që nga viti 1995. Shuma e parave në të është aq e vogël sa që është qesharake.

Llogaria ka mbetur e hapur për shkak se unë harroj ose përtoj të shkoj në bankë për ta mbyllur. Por, banka vazhdimisht ma dërgon kartelën e re kur duhet. Kurrë nuk më ngarkon për asgjë. Madje, ato pak para, janë rritur. Për këtë punë janë bankat. Për t’ia ruajtur paratë klientëve e jo për t’ia harxhuar si bankat e Kosovës.

Siç mund të vëreni, unë jam hidhëruar me bankat e Kosovës. Nëse dikush i plaçkitë, do të më vinte mirë dhe do të gëzohesha. Madje, nëse qëlloj në ndonjë bankë të Kosovës kur plaçktet, do t’ju ndihmoj plaçkitësve. Së paku do të aplaudoj gjatë procesit të plaçkitjes. Kjo situatë për mua është kur një plaçkitës i vogël e plaçkitë një plaçkitës të madh.