×
  • Lajme
  • Lajme

    Banorët e “Bledit” në hall me Komunën e Prishtinës – qe afro 6 muaj me punime në rrugë, sot shpërtheu edhe një gyp i ujit

    Insajderi
    21 August 2024 - 17:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Banorët e lagjes së “Bledit” përkatësisht ata të rrugës “Xhavit Ahmeti” janë në hall nga punimet e stërzgjatura në këtë anë, përveç kësaj herë pas herë po hasin edhe në telashe tjera. Nga muaji mars kanë filluar punimet për “Ndërtimin e rrugës”, siç është titulluar në kontratë. Por, punimet po vazhdojnë ende, dëmet po janë të njëpasnjëshme, sot në këtë lagje ka shpërthyer edhe një gyp i ujit. Kjo nuk është hera e parë.

    Nga ora 15:30, nga punëtorët është dëmtuar gypi kryesor i ujit i cili ka disa orë që po rrjedh.

    Ende nuk është rregulluar. Të dëmtuar kanë mbetur dhe ventilat mbyllës, thanë banorë të kësaj lagje për Insajderin.

    Gazeta Insajderi edhe më herët ka raportuar për telashet që po kanë banorët e lagjes “Xhavit Ahmeti” për shkak punimeve tejet të ngadalshme që po kryhen në atë anë të kryeqytetit.

    Edhe reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha, rruga shihet gjysmë e asfaltuar. Gropa e mbushura me zallë, nga shiu janë hapur totalisht.

    “Kjo nuk është normale, nga muaji mars punimet kanë fillu – ne skem telash me këta punëtorë që po punojnë por me komunën që kur e sheh që ska kapacitetet të mjaftueshme me kontraktu edhe kompani tjera”, i tha një banor Insajderit.

    Disa herë banorët kanë protestuar, madje në një rast kërkuan që rruga të jetë e hapur për qarkullim nga ora 16:00.

    Për ankesat e tyre, Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga Komuna e Prishtinës, por të njëjtit s’kanë kthyer përgjigje.

    Reagimi i vetëm është ai i para 4 muajve i Drejtorit të Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi i cili shihej në praninë e anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi i cili siç njofton Xhaferi qenka banor i kësaj lagje.

    “Nga projekti, në projekt”, ka shkruar ai në Facebook, duke mos dhënë asnjë përgjigje për ankesat e banorëve, madje edhe në fotografi shihet me inspektorë të komunës, pjesë e kabinetit e tij, anëtarin e LDK-së por askund nuk shihet ndonjë banor tjetër i kësaj lagje, të cilën do të mund ta dëgjonte nga afër për ankesën e tyre.

    Kontrata figuron të jetë e lidhur me 11 janar të këtij viti, mes autoritetit kontraktues Komunës së Prishtinës dhe grupit të operatorëve ekonomik si Flamuri V SH.p.k; Benita Company; AAB Construction SH.P.K rruga Rilindja Kombëtare-Malishevë i përfaqësuar dhe Vllaznim Mazreku, drejtor.

    Siç shihet edhe nga kontrata punimet ishin paraparë të kryheshin brenda 90 ditëve, por ato edhe sot po vazhdojnë.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark