Secili njeri ka ëndrra të ndryshme, disa duan të bëhen të pasur, disa duan të arrijnë në karrierë, ndërsa disa duan vetëm të jenë të lumtur. Mirëpo, është interesant fakti kur ëndrra e vetme e një njeriu është të fus sadopak gjumë në sy.
Eshref Berisha, banor i Komunës së Rahovecit, fshati Kramovik ka një ëndërr që ndonjë njeriu tjetër do t’i dukej e çuditshme. Berisha vetëm dëshiron të flejë sikur njerëzit normal, t’i bëj 8 orë gjumë dhe të mos shoh ëndrra fare.
Ëndrrat ndonjëherë janë të parealizueshme dhe iluzionare, e tillë është edhe ëndrra e tij.
Eshref Berisha ka plot 37 vite që nuk fle fare dhe kështu gjumin e konsideron ëndërr të parealizueshme.
Ai duket sikur gjithë njerëzit normal! Po ta shikosh ke përshtypjen se ai ka fjetur e pushuar mjaftueshëm dhe ka energji për jetë. Nëse vështrohet, në fytyrën e tij nuk ka shenja lodhjeje, as sytë nuk i ka të skuqur, nuk ka rrathë të zinj poshtë syve edhe pse ka thuajse gjithë jetën që nuk bën gjumë.
Narkoza e tepruar gjatë operacionit e la pa gjumë për gjithë jetën. Eshref Berisha i lindur më 11 gusht 1963, sikur çdo njëri tjetër ka bërë gjumë të mjaftueshëm dhe ndonjë herë edhe më shumë gjumë se sa duhet, mirëpo krejt kjo deri në moshën 16 vjeçare.
Në këtë moshë ai është bërë operacion nga veshkat dhe jeta e tij ka pësuar një ndryshim të madh.
Ai ka rrëfyer për gazetën Bota Sot gjithë ngjarjen, se sa ka kohë që nuk ka fjetur dhe gjithë historinë.
“Unë kam bërë një gjumë rëndë shumë deri në moshën 16 vjeçare e atëherë kam pësuar një ndryshim të madh të gjumit, pasi jam bërë operacion në veshkë dhe narkozën që ma kanë dhënë ka qenë më tepër se sa duhet. Pastaj aty kam pa një lloj ëndrre dhe prej atij moment që jam zgjuar nuk kam pasur më ndjenja që unë duhet me fjetë në gjumë, asnjëherë” tregon Berisha.
Ai tregon se ky operacion ka qenë i vështirë sepse shumica e pacientëve aty nuk kanë mundur të ecin për muaj të tërë,por, ai është zgjuar menjëherë pas tre ditësh dhe kjo gjë i ka habitur edhe doktorët të cilët kanë provuar edhe ta studiojnë rastin e tij.
Berisha pagjumësinë e tij e lidhë me këtë operacion, pasi që thotë se prej asaj dite gjumi i tij nuk është më i programuar.
“Për shembull kam fjetur një orë pastaj nuk kam fjetur më për 24 orë, pastaj ndoshta kam fjetur 1 minutë dhe nuk kam fjetur më me ditë të tëra”, rrëfehet Berisha.
Berisha ka jetuar një kohë në Gjermani, atje ka punuar dhe ka pasur edhe rast të njoftohet me një mjek për t’i treguar rastin e tij mirëpo as ai nuk ka ditur çfarë t’i thotë.
“Në 92-ën kam punuar në Gjermani me ato makina shumë precize lëvizëse. Zhurma që bënte makina ndikonte që shumica e punëtorëve të thoshin se i bën të flenin ajo zhurmë, mirëpo te unë nuk ndikonte asgjë. Unë nuk fle as ditën as natën, nuk fle me javë nuk fle me muaj”, shprehet ai.
Berisha ka familje, dy fëmijë të moshës madhore dhe bashkëshorten. Ai thotë se gruaja dhe familja e tij nuk e kanë problem, pasi që ata prej kur bien të flenë nuk zgjohen deri në mëngjes më.
“Unë kur ata flenë rri, mendoj, bëj plane, ndonjë poezi apo ndonjë skenar në mendjen time”.