
Rikthimi i Barcelonës në Camp Nou është shtyrë sërish, pasi kampionët e Spanjës njoftuan të enjten se stadiumi nuk do të jetë gati për të pritur ndeshjen e radhës të Ligës së Kampionëve kundër Olympiacos.
Gjigantët katalanas kishin shpresuar të merrnin një leje nga komuna në kohë për ndeshjen e tretë të fushatës evropiane më 21 tetor, por kjo ndeshje do të zhvillohet në Stadiumin Olimpik.
Barça u mund 2-1 nga Paris Saint-Germain të mërkurën në të njëjtin stadium, shkruan Gazeta Express.
“Klubi po vazhdon të punojë për të marrë lejet administrative të nevojshme për hapjen e Camp Nou në ditët në vijim,” tha Barça.
Më shumë se dy vjet pas nisjes së punimeve të rinovimit, stadiumi i famshëm ende nuk është gati të presë ndeshje, madje as me kapacitet të reduktuar.
Kapaciteti përfundimtar i Camp Nou pritet të jetë 105 mijë vende.
Hapja madhështore ishte parashikuar fillimisht për në nëntor 2024, por projekti është goditur nga disa vonesa.
Shërbimi i zjarrfikësve të qytetit tha se ende ka probleme me rrugët e evakuimit, përveç çështjeve të tjera të sigurisë.
Skuadra e Hansi Flick luajti jashtë në tri javët e para të sezonit në La Liga për t’i lënë kohë përgatitjes së stadiumit për rihapje.
Më pas ata pritën Valencian dhe Getafen në stadiumin Johan Cruyff, me kapacitet 6 mijë ulëse, pranë qendrës stërvitore.
Barcelona pritet të paguajë rreth 1.5 miliardë euro për rindërtimin e Camp Nou.