
Barcelona ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me sulmuesin anësor Marcus Rashford, i cili është i huazuar nga Manchester United, mes raportimeve se klubi po shqyrtonte mundësinë për ta rikthyer atë para kohe.
I padëshiruar nga trajneri Ruben Amorim te Manchester United, Rashford u transferua te Barcelona në formë huazimi, me klubin katalanas që ka një opsion për ta blerë përfundimisht për shumën prej 30.3 milionë paundësh.
Deri më tani, Rashford ka bërë tre paraqitje në La Liga për Barcelonën, dy prej të cilave si zëvendësues.
E vetmja ndeshje që ka nisur si titullar ishte ndaj Levantes, ku u zëvendësua në pjesën e parë nga Dani Olmo me rezultatin 2-0 në favor të kundërshtarit, para se skuadra e Hansi Flick të realizonte një përmbysje dramatike dhe të fitonte 3-2.
Me lojtarin anglez që ende nuk ka arritur të tregojë formën e tij më të mirë, një raport i publikuar (dhe më pas i fshirë) nga El Nacional pretendonte se drejtuesit e lartë të klubit e përshkruanin Rashfordin si “të turpshëm, të pasaktë dhe të humbur” në fushë, dhe se po shqyrtonin mundësinë për ta ndërprerë huazimin para kohe.
Raporti gjithashtu pohonte se presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, dhe drejtori sportiv, Deco, nuk kanë qenë kurrë plotësisht të bindur për transferimin e Rashford, pasi kishin si objektiva kryesorë Luis Diaz dhe Nico Williams për krahun e majtë të sulmit.
Megjithatë, për ta ndërprerë huazimin në mes të sezonit, Barça do të duhej të paguante rreth 4 milionë euro.
Gazetari Guillem Balague ka reaguar ndaj këtij raporti, duke theksuar se Barcelona nuk ka në plan të ndërpresë huazimin dhe ende mban optimizëm se Rashford mund të luajë një rol të rëndësishëm për skuadrën gjatë këtij sezoni.