
Më pak se tre javë na ndajnë nga “El Clasico”-ja e parë e sezonit, dhe Barcelona ende nuk është e sigurt nëse do të mund të llogarisë në Lamine Yamal për udhëtimin në “Santiago Bernabeu”.
Pas humbjes ndaj Paris Saint-Germain javën e kaluar, 18-vjeçari pësoi një rikthim të dëmtimit në pjesën e pubisit, të cilin e kishte përkeqësuar gjatë pushimit ndërkombëtar të shtatorit. Sipas parashikimeve, ai pritet të mungojë për rreth 2 deri në 3 javë.
Kjo do të thotë se Yamal mund të jetë gati pikërisht në kohë për ndeshjen ndaj Real Madridit, megjithëse mbeten dyshime nëse do të jetë në formën e tij maksimale për të startuar në “Bernabeu”. Megjithatë, Barcelona është e vendosur të bëjë gjithçka për ta pasur në dispozicion yllin e saj të ri në përballjen ndaj rivalit të madh.
Sipas “Mundo Deportivo”, Barcelona ka përgatitur një plan të veçantë rehabilitimi për Lamine Yamal, që pritet ta ndihmojë të jetë gati për formacionin bazë në “El Clasico”. Fillimisht, ideja është që ai të rikthehet në ndeshjen ndaj Girona-s pas pushimit ndërkombëtar, ku do të luajë 30-45 minuta për të rikthyer ndjesitë konkurruese dhe për të testuar reagimin fizik.
Më pas, Barcelona shpreson që ai të startojë në përballjen e Ligës së Kampionëve ndaj Olympiacos, duke luajtur 60-70 minuta për të përmirësuar më tej ritmin e lojës, para se të përballet me Real Madridin pesë ditë më vonë.
Përveç Lamine Yamalit, Barcelona po planifikon që edhe Fermin Lopez dhe Raphinha të jenë 100% gati për “El Clasico”. Të dy lojtarët kanë pësuar dëmtime gjatë javëve të fundit, por pritet të rikthehen në ndeshjen ndaj Girona-s, duke ndjekur një plan të ngjashëm për t’u siguruar që të jenë në formë të plotë në “Bernabeu”.
Është e qartë se Barcelona synon të ketë në dispozicion skuadrën më të fortë të mundshme për përballjen me Real Madridin, në përpjekje për të vazhduar formën e shkëlqyer që tregoi në “El Clasico”-t e sezonit të kaluar.