Afër 100 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë mbetur të bllokuar që 11 ditë në dy lokacione në veri të Mitrovicës nga vendosja e barrikadave atje. Me ushqim të konservuar e pa mundësi për t’u pastruar e ndërruara rrobat këta policë po qëndrojnë si heronj. Ndërkohë, KFOR-i po heziton të asistoj në ndërrimin e tyre, shkruan Gazeta Insajderi.
Sot është dita e 11 që ata nuk po mund të zëvendësohen nga koleget e tyre pasi që rruga është bllokuar si pasojë e vendosjes së barrikadave. Ata, janë të vendosur në dy lokacione në Leposaviç dhe Jarinje.
Gjendja e tyre është e rëndë por e qëndrueshme. E rëndë sepse është jashtë normales të mbetën në punë pa u zëvendësuar për 11 ditë rresh.
Kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri tregon për Insajderin se ambientet ku janë duke qëndruar që 11 ditë policët nuk janë të përshtatshme. Mirëpo, ai thotë se ata kanë ushqim të konservuar të mjaftueshëm, ujë, pajisje higjienike dhe veshmbathje. Gjithashtu Zeqiri tregon se ata kanë edhe derivate të mjaftueshme.
“E keqja është se është tejkaluar gjithçka është jashtë normales të mbetën në punë pa u zëvendësuar ditë e natë, 11 ditë rresht. Menaxhmenti policorë është dukë bënë të pamundurën më bë ndërrimin atje. nuk është lehtë me qendru mirëpo ushtrim kanë mjaftueshëm edhe pse është ushqim i konservuar. Kanë ujë të mjaftueshëm të pijes e veshmbathje”, tha ai.
Zeqiri shprehet i shqetësuar me faktorët ndërkombëtar që po hezitojnë të bëjnë ndërrimin e policëve. Ai kërkon që urgjentisht të merren masa para se të ndodh ndonjë krizë humanitare apo tragjedi tek kolegët.
“Urgjentisht të dakordohet faktori ndërkombëtar me faktorin vendor dhe sa më parë të bëhet ndërrimi i policëve atje derisa nuk të krijohet një krizë humanitare apo të na ndodh ndonjë tragjedi te kolegët apo banorët atje sepse në rast të ndonjë sëmundje eventuale as qytetarët as policët nuk do të kenë mundësi të transportohen” deklaroi ai.
Rreziku me i madh qëndron tek mundësia e marrjes së ndonjë sëmundje apo të ndodh ndonjë epidemi.
“Jemi kontakt të vazhdueshme me ta. Atje është edhe KFOR-i amerikan. Rreziku është mos po na ndodh ndonjë epidemi apo diçka tjetër, po shohim një rrezik permanent. Janë në kushte të vështira”, tha ai duke shtuar se bëhet fjalë për dhjetar policë e që disa prej tyre janë edhe të sëmurë.
Tash e 11 ditë nuk ka asnjë përpjekje nga faktori ndërkombëtar për të mundësuar ndërrimin e tyre. Sipas Zeqirit është befasi pse KFOR-i po heziton të asistoj vetëm të bëjmë ndërrimin e pjesëtarëve policorë.
Përmes një komunikate për media, sindikata kishte kërkuar me urgjencë të ndërmerren hapa të shpejtë për t’u mundësuar zëvendësimin e policëve.
“Sindikata e Policisë dhe të gjithë pjestarët e policisë janë duke i përcjellur nga afër këto zhvillime si dhe janë shumë të shqetësuar për fatin e kolegëve të bllokuar, prandaj u bëjmë thirrje urgjente Presidencës, Qeverisë, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të bashkërendojnë veprimet dhe menjëherë të krijohen kushtet për lëvizje të lirë dhe zyrtarëve policor t’ju bëhet ndrrimi”, thuhet në komunikatën e tyre.
Zyrtarët policor në këto dy lokacione të bllokuara po qëndrojnë me moral shumë të lartë, por shëndeti dhe jeta e tyre është e rrezikuar seriozisht për shkak të kushteve të vështira të krijuara nga rrethanat dhe ambienti në të cilin qëndrojnë.
Këta policë që disa ditë radhazi janë dukë u ushqyer me ushqim të konservuar që përbën: rriskë gjedhi, gullash, lëngje pemë dhe perime.
“Kanë rezerva. Para dy dite KFOR-i amerikan iu ka dërguar pako ushqimore dhe pako higjienike e veshmbathje. Po mundoheni disi me u kompletu” deklaroi Zeqiri duke treguar se ushqimet e konservuara përbëhen nga “ Rriskë gjedhi, gullash, lëngje, pemë perime“.
Në këto temperatura të ulëta, dhjetar policë janë strehuar në disa objekte policore por që nuk i plotësojnë kushtet.
“Janë disa objekte policore ku ata janë të strehuar por nuk i plotësojnë kushtet. Ka disa që e mbajnë edhe ndërrimin në veturë”, tregon Zeqiri i cili është në kontakt të vazhdueshëm me ta.
Nga ana tjetër në kushte anonimiteti, Gazeta ka siguruar edhe deklaratën e një nga policëve që po qëndron atje.
Ai ( emër i njohur për redaksinë), tha për Insajderin se janë mirë pavarësisht disa mungesave.
“Jo nuk jemi ka frikësohemi, pa na ardh ndërrimi me na ndru këtu ne nuk tërhiqemi edhe me pas mundësi me u tërhek. Jemi të fuqishëm moralisht”, deklaroi shkurt një policë. /Gazeta Insajderi/