Platforma për kontrollin e fakteve, Hibrid.info, ka reaguar pas përdorimit të një raporti të saj nga deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, i cili e përdori atë për të sulmuar mediat në Kosovë.
Hibrid.info ka theksuar se deklarata e Bashës, që mediat po ndihmojnë Rusinë dhe Serbinë në përhapjen e dezinformatave, nuk është pjesë e raportit të tyre. Kjo është një interpretim personal i Bashës dhe jo një përfundim i raportit.
“Duke përdorur njërin prej grafikoneve të raportit dhe disa statistika të përmendura në të, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka bërë një publikim në llogarinë e tij në Facebook. Në fund, deputeti Basha ka shtuar një fjali që nuk është pjesë e raportit. Ky koment i tij më pas është publikuar si lajm në disa media”, thuhet në reagimin e Hibrid.
“Hibrid.info sqaron se deklarata e Bashës: ‘dhe kjo na tregon se Serbia dhe Rusia janë aktive në vendin tonë dhe po punojnë shumë për të keqinformuar publikun për çdo vendim të Kryeministrit, por pa lënë anash mediumet në shqip që po ndihmojnë Serbinë dhe Rusinë në këtë keqinformim,’ është një koment personal i deputetit dhe nuk është pjesë e raportit ‘Prapa Ekraneve: Raport vjetor për gjendjen e çrregullimit informativ’,” shtohet në reagim.
Gjithashtu, Hibrid.info ka theksuar se shifrat që Basha ka paraqitur nuk përputhen me të dhënat e raportit të publikuar nga ata javën e kaluar. Basha ka thënë se 67% e 818 artikujve janë vlerësuar si dezinformata, ndërsa raporti i Hibrid.info tregon se 21% e përmbajtjeve keqinformuese nga 818 artikuj janë klasifikuar si dezinformata, e jo 67% siç është pretenduar nga Basha. Në përmbajtjet e klasifikuara si dezinformata (21%), 37% janë nga fusha e sigurisë dhe 30% nga politika.
“Bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si një ‘gabim’,” përfundon reagimi.