Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka ripërsëritur sot ofertën për president nga populli. Ofertë të cilën dje e propozoi nga ‘çadra e lirisë’.
Edhe pse e vetmja parti që reagoi dje në lidhje me këtë propozim ishte PDIU, sot PD u ndal sërish në po të njëjtën temë, duke lënë mënjanë thirrjet që u kanë bërë për ndërprerje të bojkotit parlamentar. Në fakt, Rama ishte sot në Gjirokastër, ku u mbajti një fjalim të rinjve që votonin për herë të parë, por as nuk e preku temën e Presidentit dhe ca më shumë, propozimin që iu hodh dje në tryezë nga Basha, publikisht.
Basha ia theksoi edhe një herë protestuesve çfarë propozonte lidhur me zgjedhjen e Presidentit, duke ia shpjeguar nga ana tjetër edhe arsyen e kësaj heshtjeje: “Kanë heshtuar, sepse kanë popullin në mes”, tha ai ai nga çadra e protestës.
“E kanë nxjerrë në pazar, postin e Presidentit, në ankand sikur të ishte viç”, tha kreu i PD-së, – për të joshur dhe mëkuar politikën opozitare që të braktisë lëvizjen popullore dhe fatet e qytetarëve. Dje e kanë marrë përgjigjen: opozita nuk kërkon dhe pranon pazar politik në kurriz të zgjedhjeve me postin e Presidentit të Republikës.
Presidenti i republikës me konceptin e republikës së re i takon popullit dhe do të zgjidhet nga populli me votë direkte. Pse kanë heshtur ndaj propozimit tonë?! Sepse kanë popullin në mes! Populli i prish pazaret! Ja ku duket qartë komploti politik që e ka emrin ‘republikë e vjetër’. Në vend të bashkohen me propozimin tonë për një president nga populli, ata heshtin,” theksoi Basha. (gazeta-express)