
Kryetari i shkarkuar i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili është akuzuar shpesh nga kundërshtarët e tij politik se fle gjumë dhe zgjohet vonë, sot ka shkuar që në orët e para të mëngjesit në selinë e PD-së.
Por, para Bashës kanë mbërritur gazetarët të cilët Basha i ka përshëndetur me dy gishta, madje edhe duke bërë batuta .
“Mirëmëngjesi, qenke zgjuar herët shumë. Bravo të qoftë. Ndryshe nga vallja e Osman Takës. Do e kërcejmë më vone atë, pa merak”, i tha Basha njërit prej gazetarëve.
Por, ajo që bie në sy është se në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, për të penguar grumbullimin e protestuesëve të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Grupi për Rithemelimin e PD-së ,po parkohen makina të shumta.
Mesa duket, përveç dyerve të siguruara me çelik, ky është hapi i radhës nga ana e Bashës për të penguar protestën e sotme të Demokratëve të lajmëruar për në orën 12.00.
Makinat siç shihet në video, janë rreshtuar qëllimisht me synimin për të bllokuar çdo metër katror përpara godinës.