Bashkëpartiakja e Martin Berishajt, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pas vendimit të PDK-së për të dërguar Ligjin për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese.
Haxhiu ka thënë se kjo lëvizje është një provë e frikës së thellë që kjo parti ka ndaj këtij ligji.
“PDK sërish e paskan dërguar Ligjin për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në Gjykatën Kushtetuese. Kjo lëvizje tregon më së miri frikën e tyre të thellë ndaj këtij ligji, i cili rrezikon të prekë rrënjët e korrupsionit që ata vetë kanë kultivuar ndër vite”, shkroi ajoi në Facebook.
Sipas ministres, kjo përpjekje e PDK-së është një tentativë për të mbrojtur pasuritë e fituara padrejtësisht dhe për të mbajtur atë që ka qenë e marrë nga qytetarët.
Ajo ka theksuar se kjo është një luftë për të mbrojtur interesat e ngushta dhe jo për të përmbushur aspiratat e qytetarëve.
Pos tjerash, ajo u shpreh se 9 shkurti do të jetë një ditë e rëndësishme kur interesat e PDK-së do të përballen me vullnetin e popullit për drejtësi, për qeverisje të drejtë dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“9 shkurti do të jetë dita ku sërish do të ballafaqohen interesat e tyre të ngushta përballë vullnetit popullor për qeverisje të drejtë, dhe luftë ndaj krimit të organizuar e korrupsionit”
Ajo ka shtuar se, ndonëse mund të përpiqen të vonojnë procesin, vullneti i popullit për drejtësi është i pandalshëm.
Ministrja ka shkruar se Byroja do të krijohet, pasuria do t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve, dhe drejtësia do të mbizotërojë.
“Byroja do të bëhet. Pasuria do t’i kthehet shtetit dhe qytetarëve”.