Bashkëshorti i asamblistes së VV-së që mbështeste Rozeta Hajdarin, rehatohet me pozitë në MINT - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Bashkëshorti i asamblistes së VV-së që mbështeste Rozeta Hajdarin, rehatohet me pozitë në MINT

    Insajderi
    20 June 2025 - 14:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kastriot Xhafiqi, bashkëshorti i asamblistes së partisë në pushtet, Vetëvendosjes, Laureta Tafajt, është pranuar me një pozitë në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë. Tafaj kishte qenë mbështetëse publike e ministres Rozeta Hajdari gjatë zgjedhjeve të fundit. Kjo ka ngritur dyshime për konflikt interesi, ani pse vetë Tafaj ka mohuar çdo ndikim në punësimin e bashkëshortit. Nga ministria nuk kanë kthyer përgjigje. Insajderi sjell detaje.

    Gazeta Insajderi

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, më 3 qershor, ka publikuar rezultatet e konkursit për pozitën “Inspektor i Tregut”.

    Për këtë pozitë ishin shpallur gjithsej 16 vende të lira pune, ndërsa janë pranuar katër kandidatë: Zgjim Tahirsylaj, Kastriot Xhafiqi, Ilir Gashi dhe Islam Berisha.

    Në listën e të pranuarve, i dyti renditet Kastriot Xhafiqi. Ai kishte arritur 58.2 pikë në testin me shkrim dhe 27 pikë në intervistë, me gjithsej 85.2 pikë.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se Kastriot Xhafiqi është bashkëshorti i Lauretës Tafaj, asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës.

    Tafaj ka shërbyer si asambliste e VV-së për dy mandate në këtë komunë.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit, ajo kishte shprehur publikisht mbështetje për Rozeta Hajdari, duke shpërndarë edhe postime me numrin kandidues të ministres.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga kjo Ministri nëse rasti i punësimit të Kastriot Xhafiqit përbën konflikt interesi. Deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka pasur ndonjë përgjigje.

    Insajderi ka kontaktuar edhe me asamblisten Laureta Tafaj, e cila ka mohuar çdo përfshirje në këtë proces.

    Dua të theksoj qartë se unë nuk kam pasur as një ndikim apo përfshirje në lidhje me procesin e punësimit të Kastriotit. Ai ka aplikuar ne menyrë të pavarur në disa konkurse përgjatë viteve të fundit.

    Pozita ime ne Asamble Komunale tashmë në fund të mandatit të dytë asnjëherë nuk ka ndikuar në punësimin e asnjë individi në as një nivel as komunal e as qëndror sepse kurrë nuk e kam përdor pozitën time për gjëra të tilla”, tha Tafaj.

    Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me Kastriot Xhafiqin, por ai nuk figuron me ndonjë profil të identifikueshëm në rrjete sociale. Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark