Bashkëvendasi i Lushtakut e 'godet' rëndë: Ruaju biro hakut të huaj - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Bashkëvendasi i Lushtakut e ‘godet’ rëndë: Ruaju biro hakut të huaj

    Insajderi
    20 March 2022 - 22:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i degës së LVV’së në Skenderaj, Hysni Mehani në një postim të tij në Facebook i është drejtuar deputetit Mërgim Lushtaku me disa fjalë.

    “Kajtja e prishë burrin”, “Ruaju biro hakut të huaj”,janë disa nga fjalët që Mehani e ka ‘këshilluar’Lushtakun.

    “Se kush nuk u tutë prej hakut të huaj dhe se kush ka bë diçka që nuk kish dashtë me ja bë të tjerët njësoj, edhe këtë gjë e din z. Lushtaku por e dinë edhe qytetarët”, shkruan Mehani.

    Postimi i plotë:

    Vlerat tona, Mërgim Lushtaku dhe imperativi kategorik i Kantit

    Në debate të nxehta, kur shoqëria fragmentarizohet, nën rrogoz importohen disa të pavërteta, i tillë ishte reagimi i mbrëmshëm i deputetit Mërgim Lushtaku dhe fajësimi i tij për zhvlerësimin traditës dhe vlerave tona.

    Meqenëse jam rritur me një fshat vizavi fshatit ku është rritur deputeti Lushtaku, besoj që edhe deputeti duhet ta ketë dëgjuar thënien: “kajta e prishë burrin.” Besoj që deputeti Lushtaku e ka dëgjuar po ashtu thënien: “ruaju biro hakut të huaj.” Apo edhe thënien kantiane: “çka nuk ta kana me ta bë ty, mos ja bëj as ti dikujt tjetër.” Këto thënie unë i kam të dëgjuara nëpër oda, aty ku burrat kuvendonin me orë të tëra, e cimentohej ajo që deputeti e quan traditë dhe vlerë tonën.

    Se kush i prishi këto vlera; deputeti Lushtaku e din shumë mirë. Se kush u bë kajtaxhi pas luftës dhe tash është milioner, e që besa janë milionerë me krejt familjen, këtë e dinë edhe qytetarët.

    Se kush nuk u tutë prej hakut të huaj dhe se kush ka bë diçka që nuk kish dashtë me ja bë të tjerët njësoj, edhe këtë gjë e din z. Lushtaku por e dinë edhe qytetarët.

    Kjo parimisht është edhe e pamundur, sepse që disa të bëhen milionerë, duhet të varfërohen me qindra mija të tjerë.

    Sot, kanë ndërruar vlerat tona. Në fakt, i kanë ndërruar. Sot, ata që nuk kanë mundur të bëhen milionerë pas luftës, akuzohen se ishin frikacakë gjatë luftës. E meqenëse ishin frikacakë gjatë luftës, e meritojnë të jenë varfanjakë pas luftës.

    Madje hipokrizia shkon aq larg, saqë akuzohesh se je xheloz ndaj suksesit që kanë treguar milionerët e pas luftës. Parimisht, kanë të drejtë, me u bë milioner me një rrogë, është sukses i padëgjuar më parë. Kjo madje i ka thyer ligjet e logjikës së shëndoshë.

    Sigurisht që tema është e gjërë, e debati do të vazhdoj të ekzistojë edhe për shumë kohë.

    Por kështu, nën rrogoz, me ambalazh të ri, bëhen gardianë të vlerave dhe traditës tonë, ata që i kanë rrënuar këto vlera me vite të tëra.

    Dhe, pse është në titull imperativi kategorik i Kantit? Thjeshtë, sepse, pse, dhe, çfarë do të ndodhte me shoqërinë, vlerat dhe traditën tonë nëse të gjithë do të ndjeknim shembullin e deputetit “mbrojtës” të traditës dhe vlerave tona.

    Dhe, nëse mendoni që i ika temës dhe kontekstit për të cilin ka folur z. Lushtaku, atëherë, shtroj një pyetje të vetme, si ka mundësi që z. Lushtaku vazhdon të jetë pjesë e në një partie kryetari i së cilës parti në cilësinë e presidentit vihej në krye të këtij organizmi që sipas z. Lushtaku po shkatërrojka traditën dhe vlerat tona? Ku ishte atëherë z. Lushtaku dhe si u bë që dikush që paska dashur të na i shkatërrojë vlerat dhe traditat tona, të bëhet idoli i tij politik?

    Kaq për sinqeritetin ose hipokrizinë (vlerësojeni vetë) të z. Lushtaku në mbrojtjen e vlerave dhe traditës sonë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    01 October 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark