"Bashkimi qytetit, hekurudha, ujësjellësi", Buja tregon se për planin e tij qeverisës janë angazhuar 55 ekspertë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Bashkimi qytetit, hekurudha, ujësjellësi”, Buja tregon se për planin e tij qeverisës janë angazhuar 55 ekspertë

    Insajderi
    29 August 2025 - 19:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka theksuar se tre problemet kryesore me të cilat përballet komuna janë mungesa e ujit të pijshëm në shumë fshatra, ujërat e zeza dhe kanalizimi, si dhe ndarja e qytetit nga hekurudha.

    Ai tha se për secilin prej tyre programi i tij qeverisës parasheh zgjidhje konkrete.

    Në një intervistë për emisionin FIVE në RTV Dukagjini, Buja foli edhe për zhvillimet në fshatra dhe potencialin e tyre.

    Ai tha se Janjeva mund të zhvillohet dhe të rikthehet në qytezën që dikur ishte. Sipas tij, në hartimin e programit të tij kanë punuar 55 ekspertë nga Lipjani dhe vende të tjera, të cilët kanë identifikuar problemet ekzistuese dhe më pas kanë ndërtuar planin e detajuar qeverisës.

    Duke u ndalur te fshati Gadime, Buja përmendi problemin e urave të vjetra që datojnë që nga koha e ish-Jugosllavisë.
    “Janë dy ura të ngushta, shumë të rrezikshme”, tha ai.

    Tutje, ai foli për Baicën, duke përmendur ujërat termale dhe mundësinë e zhvillimit të turizmit jo vetëm aty, por edhe në Gadime.

    Buja veçoi edhe fshatin Shalë, ku sipas tij nuk funksionon sistemi i ujësjellësit. “Ka shumë probleme, por për të gjitha kemi zgjidhje”, theksoi ai. Ai shtoi se edhe Magura përballet me mungesë të ujit të pijshëm.

    Sa i përket qytetit të Lipjanit, Buja tha se një nga sfidat kryesore është ndarja e tij nga hekurudha, e ndërtuar shumë vite më parë kur Lipjani ishte më i vogël. Ai akuzoi udhëheqjen aktuale të komunës për mosangazhim në bashkimin e qytetit me projekte nëntokësore ose mbitokësore.

    “Ne në programin tonë qeverisës kemi planin e detajuar për ta bërë bashkimin e qytetit”, deklaroi Buja.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark