×
  • Lajme
  • Lajme

    Bashota: Komandantët e zonave janë zgjedhur nga vetë zonat, Shtabi i Përgjithshëm vetëm i ka konfirmuar emrat

    Insajderi
    03 December 2024 - 17:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në pyetjet plotësuese të prokurorit Matt Halling dëshmitari Sokol Bashota tha se komandantët e zonave janë zgjedhur nga vetë zonat dhe më pas janë konfirmuar nga Shtabi i Përgjithshëm.

    “Komandantët e Zonave në të gjitha rastet janë zgjedhur nga vetë zonat. Pas strukturimit, Shtabi i Përgjithshëm veç i ka konfirmuar emrat e tyre si komandant të zonave, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në rast që këto emra do të ndryshoheshin nga Shtabi i Përgjithshëm, dëshmitari tha se ka pasur rrezik që të ndodhte ajo në shkurt të 99-ës që kishte rezultuar me dorëheqjen e tij, Azem Sylës dhe Jakup Krasniqit.

    “Nuk muj me e parashiku këtë. Me siguri kish ndodhë kjo çka ndodhi në shkurt të 99-ës me ndryshimin e krejt Shtabit të Përgjithshëm për arsye se komandantët e zonave e kishin kërkuar një gjë ë tillë për të gjithë anëtarët e Shtabit. E ka pas këtë fuqi”, tha Bashota.

    Gjithashtu, ai tha se para vitit 1998 nuk ka qenë Shtabi i Përgjithshëm por ka qenë Shtabi Qendror.

    “Përpara 1998-ës e kam sqaruar që nuk ka qenë Shtabi i Përgjithshëm por ka qenë Shtabi Qendror dhe Hashim Thaçi nuk ka qenë pjesë e Shtabit Qendror”, tha Bashota.

    Ai u pyet për zhdukjen e dy druvarëve serbë për të cilët tha se në fillim

    “Thash se në fillim ka pas spekulime që ata janë marrë nga civil dhe nuk e di se kush i ka marrë dhe kah janë shku. Ka mundësi që janë marrë edhe nga ushtarët por nuk e di”, tha Bashota.

    Dëshmitari tha se njërin prej këtyre druvarëve e ka parë gjatë dëshmive në Hagë ndërsa tjetri sipas tij ka vdekur.

    Vlen të theksohet se para se të filloj pyetjet Halling, pati kundërshtime Luka Mishetiq që është pjesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit. Ai tha se një provë iu është nxjerrë atyre për herë të parë sot dhe pikërisht pasi kanë mbaruar pyetjet e Mishetiq.

    “Nuk është nxjerrë sipas rregullës. Ne do të kundërshtojmë që të përdorë rregullin 102 (3) që të justifikoj shkeljen e nxjerrjes së një materiali”, tha Mishetiq.

    Ai tha se nuk ka asnjë arsye se pse është nxjerrë kaq vonë një dokument. Ky kundërshtim u përkrah edhe nga ekipet e tjera të mbrojtjes.

    “Është nxjerrë pasi janë kërkuar në burime të hapura, pasi kemi marrë shënime të hetuesit për këtë dëshmitar që është… është diçka që e kemi regjistru gjatë 24 orëve të fundit dhe është marrë nga burime të hapura. Ne do të përdorim vetëm një faqe dhe e dimë që është një dokument që bie nën rregullën 102 (3)”, tha prokurori.

    Gjithashtu, dëshmitari u mor në pyetje nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra e cila u fokusua tek veprimtaria e klientit të saj gjatë kohës së luftës.

    Ndër të tjerash, dëshmitari pohoi se Jakup Kransiqi ka qenë i burgosur politikisht dhe ka qenë i angazhuar në qëllimin e përbashkët për lirinë e Kosovës por që nuk e dinë nëse ndonjëherë ka qenë i kyçur në strukturat e LPK-së.

    Me kërkesën e avokates, seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin për ruajtjen e informacionit të dhënë nga ofruesi i informacionit kur tema u fokusua tek një incident me dy druvarë.

    Sot gjatë seancës ka pasur probleme teknike me transmetimin gjë e cila është bërë e ditur edhe nga DhSK-ja përmes një njoftimi për media.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark