
Policia e Kosovës mbrëmë ka kryer bastisjen e banesës së 21-vjeçarit A.F., i cili dyshohet se e ka plagosur 44-vjeçarin B.Sh. në Suharekë.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se bastisja u realizua me urdhër të prokurorit kujdestar.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit A.F., 21 vjeçar, mirëpo i njëjti nuk është gjetur aty. Aktualisht nuk dihet se çfarë arme është përdorur në rast,” tha Bytyqi për Insajderin.
Sipas Bytyqit, plagosja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes të dy personave.
Policia vazhdon të jetë në kërkim të të dyshuarit A.F., ndërkohë që hetimet për rastin janë duke u zhvilluar.