Autoriteteve doganore të Kosoves për muaj të tërë me radhë i dërgoheshin dokumente nga korporata HIB Petrol. Aty shenohej se dokumentetet ishin të nënshkruara nga zyra ndërlidhëse e Greqisë, si subjekt pranues i derivateve të naftës.
Importi i naftës për ambasadat, zyret ndërlidhëse e misionet e huaja lirohet nga akciza. Mirëpo këto dokumente ishin të falsifikuara, ka zbuluar Gazeta Insajderi.
Zyra ndërlidhëse e Greqisë në Kosovë nuk ia ka nënshkruar kurrë këto dokumente.
Vlera e naftës që ishte raportuar për nevoja të zyrës greke dhe që ishte shitur në tregun me pakicë kapte vlerën e miliona eurove. Për këtë duhet të paguhej akciza. Llogaritet se HIB Petrol i është shmangur akcizës në vlerë prej rreth gjysmë milionë euro.
Ngjashëm si HIB Petrol kanë vepruar edhe kompania ‘Fer Petrol’ e ‘Alfa Trade’.
Alfa Trade llogaritet që ka bërë shmangie prej rreth 100 mijë eurove, ndërsa ‘Fer Petrol’ në vlerë prej mbi 60 mijë eurove.
Për shkak të organizimit të kësaj skeme, doganierët zbarkun mbrëmë në këto tri kompani. I bastisën ato dhe i arrestuan drejtuesit e secilës kompani.
Prokuroria Themelore e Prishtines ka kërkuar sot masën e paraburgimit për secilin prej tyre. Për Fatbardh Xhaferin e ‘HIB Petrol’ si dhe për drejtuesit e ‘Fer Petrol’ e ‘Alfa Trade’.
Gjykata Themelore ka refuzuar masën e paraburgimit. Ka vendosur që ndaj treshes të caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Gazeta Insajderi ka sjellur lidhjet e afërta të biznesmenëve që u kapën nga ky aksion me partitë kosovare.
Fatbardh Xhaferi është vëllai i Krenar Xhaferit, drejtorit të Investimeve Kapitale në komunën e udhëhequr nga Përparim Rama i LDK-së.
Hajdar Hajdari është pronar i kompanisë ‘Alfa Trade’ kurse Mehdi Gjoka është pronar i kompanisë ‘Fer Petrol’
Të dy këta biznesmen kanë lidhje të afërta me Partinë Demokratike të Kosovës.
Hajdar Hajdari është vëllau i Isa Hajdarit, kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e fundit.
Ndërsa, Mehdi Gjoka nga Drenasi është përfituesi i rregullt i tendereve nga qeverisja e Ramiz Lladrovcit./GazetaInsajderi/