Dogana e Kosovës ka gjetur duke operuar ilegalisht si lojëra të fatit dy lokale në lagjen Dardania të Prishtinës.
Gjatë një kontrolli është gjetur se këto lokale ishin kamufluar si rrobaqepësi.
“Të dy lokacionet e dyshuara kishin ndërruar pamjet e jashtme të lokalit duke tentuar të kamuflojnë aktivitetin ilegal, njëri operonte nën emrin Rrobaqepës derisa lokali tjetër nën emrin Counter Strike”, thuhet në komunikatën e Doganës.
Në këtë rast Dogana thotë se ka gjetur duke operuar një pike basti të palicencuar si dhe janë zbuluar lojëra të ndaluara “Keno” dhe “Racing Dogs” në të dy lokacionet.
Dogana e Kosovës aty ka sekuestruar pajisjet e palicencuara dhe ndaj personave përgjegjës do të iniciojë procedurën kundërvajtëse. Gjithashtu në vendngjarje janë ftuar edhe zyrtarët e ATK-së te cilët kanë bërë mbylljen e lokaleve.