BBC në serbisht: Kosova dëshiron anëtarësimin në Këshillin e Europës, çfarë do të thotë kjo  – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    BBC në serbisht: Kosova dëshiron anëtarësimin në Këshillin e Europës, çfarë do të thotë kjo 

    Insajderi
    05 May 2022 - 23:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në hijen e bisedimeve për rrugën evropiane dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, gjatë takimeve të zyrtarëve ballkanikë dhe gjermanë në Berlin, Kosova bëri të ditur se Prishtina mund të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shkruan versioni në serbisht i mediumit britanik “BBC”

    Gjatë rrugës, Kosova llogarit në mbështetjen e Gjermanisë, tha kryeministri Albin Kurti pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

    Aspirata e Kosovës për t’u bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare nuk duhet të befasojë askënd, sepse kjo është dëshira e kahershme e Prishtinës, thotë analisti sllovak Milan Niq për BBC në serbisht.

    “Kjo nuk do të thotë domosdoshmërish njohje e Kosovës për Serbinë, dhe ka rëndësi praktike për Kosovën sepse i referohet respektimit të të drejtave të njeriut, çështjeve sociale dhe kulturore.”

    “Deri tani do të bllokohej nga Rusia dhe tani është logjike që të vinte në tryezë”, thekson një studiues i lartë i Shoqatës Gjermane për Punët e Jashtme.

    Beogradi ka bllokuar prej kohësh aspiratat e kahershme të Kosovës për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, kryesisht me ndihmën e Rusisë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, shkruan BBC në serbisht.

    Megjithatë, që nga marsi i këtij viti, për shkak të pushtimit të Ukrainës, Rusia nuk është më anëtare e Këshillit të Evropës, organi më i vjetër politik i përbashkët në kontinent, i dedikuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

    Çfarë është Këshilli i Evropës?

    Këshilli i Evropës shpesh quhet “lobi i Bashkimit Evropian”, duke qenë se anëtarësimi në këtë organ është një parakusht i domosdoshëm për anëtarësimin në BE.

    Ky nuk është një organ i Bashkimit Evropian, por një organizatë e pavarur ndërkombëtare, e cila nuk duhet të ngatërrohet me Këshillin Evropian dhe Këshillin e BE-së, që janë organe të BE-së.

    Serbia u bë anëtare e Këshillit të Evropës në vitin 2003 në kuadër të ish-Bashkimit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, pas shpërbërjes së të cilit në vitin 2006 “trashëgoi” anëtarësimin sipas rregullit të trashëgimisë, dhe tani Kosova do të donte të shkonte në këtë rrugë, shkruan tutje BBC.

    Një nga organet e Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila është superiore ndaj të gjitha gjykatave në të gjitha shtetet anëtare.

    Kjo gjykatë shqyrton çështjet e ngritura nga individë dhe grupe kundër shteteve nënshkruese të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark