Kryetari i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka bërë një deklaratë të fortë gjatë vizitës në Athinë duke i bërë thirrje në emër të BE-së, të gjithë emigrantëve ekonomik sidomos nga Ballkani të mos rrezikojnë jetën e tyre për të udhëtuar drejt Evropës sepse krejt ky udhëtim nuk do të sjellë asnjë rezultat.
Siç raportojnë mediat greke, Tusk tha se dëshiron t’i jap fund rrugës së paligjshme transit nëpër det që e kalojnë emigrantët nga Turqia në Greqi. Ai këtë deklaratë e dha pas takimit me kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu në Ankari dhe kryeministrin grek Aleksis Tsipras.
Tusk është në një turne në Ballkan dhe Turqi duke u përpjekur që të jap mbështetje për krizën e mijërave emigrant përpara një samiti të BE-së që do të mbahet të hënën, raporton Insajderi.
“Dua të apeloj tek të gjithë emigrantët ekonomik që potencialisht janë duke menduar të vijnë në Evropë: Mos ejani këtu. Mos u besoni kontrabandistëve. Mos rrezikoni jetën tuaj dhe paratë tuaj. E gjitha kjo nuk do të sjellë rezultat”, ka thënë Tusk, raporton Insjaderi.
Sipas zyrës së Tusk, BE gjatë javës që vjen do të paraqesë një listë të hapave të nevojshëm për të hequr kontrollet në kufij të ndryshëm./Insajderi