
Një grup ekspertësh i Bashkimit Evropian do të qëndrojnë në Prishtinë për të vlerësuar progresin që është bërë në përmbushjen e tetë kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave.
Një komision i tillë është formuar pasi që në dhjetor të vitit të kaluar Komisioni Evropian publikoi raportin e fundit për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, ku u rekomandua plotësimi edhe kritereve të mbetura.
Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka pasur një takim dje me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, dhe ka thënë se institucionet e Kosovës janë të gatshme që t’i përgjigjen ekspertëve evropian lidhur me punën që është bërë në disa muajt e fundit.
Liderët shtetërore deri më tani janë shprehur të bindur se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe presin raport pozitiv nga BE.
Kosova mbetet vendi më i izoluar në Evropë ndërsa liberalizimi i vizave ishte premtuar se do të ndodhte qysh në vitin 2010./Insajderi.com