Negociatorët nga Parlamenti Evropian dhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje të shtunën, 23 prill, e cila detyron platformat si Facebook, Twitter dhe Google që të menaxhojnë përmbajtjen e dëmshme, sikurse gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka përshkruar marrëveshjen si “historike”, e cila do të ketë shtrirje përtej Evropës.
“Rregullat e reja do të mbrojnë përdoruesit online, do të sigurojnë liri të shprehjes dhe mundësi për bizneset”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.
“Çka është joligjore jashtë internetit do jetë joligjore edhe në botën virtuale në Bashkimin Evropian”, ka thënë von der Leyen.
“Një sinjal i fuqishëm për njerëzit, bizneset dhe shtetet në gjithë botën”.