Bashkimi Europian do të lehtësojë gradualisht kufizimet antiCovid-19 për udhëtarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe gjashtë vende të tjera, pas një marrëveshjeje që do të arrihet sot mes 27 vendeve anëtare.
”Udhëtarët nga SHBA, Shqipëria, Hong Kongu, Libani, Makao, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Tajvani do të kenë më shumë lehtësi për t’u futur në bllok”, tha presidenca portugeze e BE-së për agjencinë gjermane të lajmeve, DPA.
Sidoqoftë, i mbetet secilit shtet anëtar të BE-së të vendosë saktësisht se cilat kërkesa do t’u imponojnë udhëtarëve.
Data e këtij vendimi është ende për t’u vendosur, raporton ATSh.
Në fillim të pandemisë, të gjitha vendet e BE-së, përveç Irlandës, ndaluan udhëtimet jothelbësore, me përjashtim të disa rrethanave.
Shtetet joanëtare të BE-së, Norvegjia, Lihtenshtejni, Zvicra dhe Islanda ishin gjithashtu pjesë e ndalimit të hyrjes për udhëtarët.
Këto tetë vende të miratuara nga ambasadorët e BE-së për udhëtime të lira u shtohen Australisë, Izraelit, Japonisë, Zelandës së Re, Ruandës, Singaporit, Koresë së Jugut dhe Tajlandës.
”Vendimi i së mërkurës do të miratohet zyrtarisht deri në fund të javës”, sipas një zëdhënësi të presidencës portugeze të BE.