Bashkimi Evropian tha se Kosova do të rrezikonte të kthehej shumë mbrapa nëse do të lejonte politizimin e certifikimit të listave zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të shkurtit.
Ky reagim vjen pas përpjekjeve të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, për të mos e lejuar certifikimit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë.
BE-ja bëri thirrje që listat zgjedhore në Kosovë të certifikohen sipas kritereve ligjore dhe që të gjithë kandidatët të kenë mundësi për të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe të drejta, në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës.
“BE dhe vendet e saj anëtare kanë nënvizuar në konkluzat e Këshillit më 17 dhjetor zhvillimet pozitive në Kosovë lidhur me kornizën zgjedhore, bazuar në rekomandimet e BE-së, në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Përderisa Kosova dhe qytetarët e sajë gëzojnë një demokraci të gjallëruar, mos certifikimi i një partie politike për shkak të konsideratave politike e jo procedurave ligjore do të shënonte një kthim serioz prapa“, thuhet në komunikatën e BE-së.