Lojtarët e Barcelonës nga nesër (e mërkurë) nisin përgatitjet për sezonin e ri, ndërsa vëmendja e mediave spanjolle është tërhequr se kush cilin numër do të mbajë në fanellë sezonin e ardhshëm.
Gjigantët katalunas fillojnë nesër sezonin e tyre para-sezonal. Mbetet ende për t’u përcaktuar se si do të jetë skuadra me trajnerin e ri Hansi Flick dhe pritet që në përputhje me mundësitë financiare të vijnë një numër i caktuar përforcimesh.
Ajo që i interesoi mediave spanjolle ishin numrat e lojtarëve. Shtatë numra kanë mbetur bosh në klub dhe do të plotësohen me lojtarë të rikthyer nga huazimet dhe përforcime të mundshme.
Por, gjëja më interesante është se numrin “më të rëndësishëm” në skuadër do ta mbajë një lojtar që është i tepërt në Camp Nou.
Bëhet fjalë për Ansu Fatin, sulmuesin e ri që po rikthehet nga huazimi te Brighton dhe që sezonin e ardhshëm do të mbajë “10-shin” te Barcelona.
Fati e trashëgoi numrin nga Lionel Messi, pritej shumë prej tij, por ai kurrë nuk justifikoi as një fraksion të besimit. Klubi e huazoi te Brighton, por ai nuk qëndroi gjatë as në Ligën Premier, kështu që tani rikthehet në Kataluni dhe merr sërish numrin 10.
I riu spanjoll me origjinë nga Burkina Faso dy vite më parë kishte vlerën e 80 milionë eurove, dhe tani vlera e tij në treg ka rënë në “vetëm” 25 milionë euro.
Në sezonin e ardhshëm, talenti Lamine Yamal do të ndryshojë numrin. Sensacioni adoleshent, i cili po shkëlqen në Kampionatin Evropian në kombëtaren spanjolle, do të mbajë fanellën me numrin 17, që mbeti bosh nga largimi i Marcos Alonso. /Telegrafi/