
Në pritjen shtetërore të organizuar për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se vendi do të ecë përpara krah për krah me aleatët, duke theksuar angazhimin për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për vendin.
“Kosova i tha gjithë botës një zëri se do të jetë gjithmonë e lirë, pavarur dhe sovrane. Kujtimi për secilin dëshmorë të UÇK-së, është përjetësisht i gdhendur. Në këto 17 vite, Kosova ka ecur përpara, rinia jonë ka shkëlqyer në sport, shkencë, art dhe çdo fushë tjetër. Gratë dhe vajzat janë bërë shtylla të pandalshme të shtetit tonë. 17 shkurti sot, e përgjithmonë është zotim i përhershëm për të ndërtuar një të ardhme. Bëjë thirrje për secilin prej nesh të punojmë me shumë çdo ditë me dashuri e përkushtim për këtë tokë e cila na dha gjithçka. Bashkë që të gjithë me vendosmëri e unitet krah për krah me aleatët tanë do të ecim përpara. Le ta dëshmojmë para botës se Kosova është një histori suksesi,” tha Osmani.
Në këtë ngjarje, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, theksoi se sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen, duke i cilësuar ato si të padrejta. Ai kujtoi kontributin e Shqipërisë dhe Kosovës si aleatë besnikë të SHBA-ve dhe BE-së dhe kërkoi që këto shtete të rishikojnë vendimet e tyre.
“Pavarësia e Kosovës është testament i qëndresës, amanet i shenjtë… Sot e përjetë nderojmë arkitektin e pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçin, komandantin legjendarë Adem Jasharin e UÇK-së, lotët dhe dhimbjet e nënave tona. 26 vite më parë çështja e Kosovës bashkoi shtete e kombe me mbështetje euroatlantike e të NATO-s kundër terrorit dhe luftës së gjenocidit serb. Shqipëria dhe Kosova, faktori shqiptarë në rajon dhe janë aleat besnik i SHBA-ve dhe BE-së. Aleat i përkushtuar i vlerave euroatlantike. Dëshirojmë që këto vende të rishikojnë vendimet e tyre dhe gjithashtu BE, të heq sanksionet që janë vendosur padrejtësisht ndaj Kosovës,” tha Begaj.