Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim pune Stuart Peach, i Ngarkuar i Posaçëm i Qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor që shoqërohej nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith.
Begaj vlerësoi në këtë takim rolin aktiv dhe pozitiv që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po mban në Procesin e Berlinit dhe ndaj zhvillimeve më të fundit në Kosovë.
Ai nënvizoi se Procesi i Berlinit po luan një rol të jashtëzakonshëm në përgatitjen e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Duke ritheksuar qëndrimin e tij mbështetës ndaj dialogut Kosovë-Serbi, Begaj dhe Peach shkëmbyen ide dhe mendime mbi kapërcimin e situatës së shkaktuar nga agresioni serb në Banjskë në 24 shtator./tch/