
Një hetim i Prokurorisë së Fierit ka zbuluar se kompania Bankers Petroleum ka përfituar rreth 5.5 miliardë euro nga shitja e naftës në Shqipëri gjatë dy dekadave operimi, ndërsa ka shmangur taksat përmes faturimeve fiktive dhe fryrjes së shpenzimeve. Kompania ka paraqitur humbje prej 117 milionë euro për të justifikuar shmangien e detyrimeve, ndërkohë që ka përfituar edhe miliona euro nga rimbursimi i TVSH-së.
Hetimi vë në dukje një skemë të mirëorganizuar ku përfshihen drejtues të huaj të kompanisë dhe bashkëpunëtorë shqiptarë, në bashkërendim me qeveritë. Ndër ta përmendet Behar Çukaj, pronar i kompanisë Bolv Oil, i cili ka përfituar dhjetëra milionë euro përmes kontratave të dyshimta me Bankers dhe më pas i ka investuar në ndërtim dhe aktivitete të tjera.
Vetëm në vitin 2011, Bolv Oil ka përfituar mbi 10 milionë euro, ndërsa kompania Albstar e Idajet Ismailajt, e përfshirë në të njëjtën skemë, ka përfituar 22 milionë euro nga Bankers.
Ekspertët e konsiderojnë këtë rast si vjedhjen më të madhe ekonomike në historinë e Shqipërisë, e shoqëruar me dëme të mëdha mjedisore, kontrabandë dhe shkatërrim të nëntokës.
Pjesë e të njëjtës skemë është edhe Idajet Ismailaj i Albstar-it, një nga ‘starët’ e pastrimit të parave, vjedhjes me tendera dhe ndërtimit në zona të mbrojtura. Vetëm gjatë vitit 2011, kompania e Ismailajt ka përfituar 22 milionë euro nga Bankers në funksion të skemës së fryrjes së shpenzimeve.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, (AKBN) institucioni që përfaqëson Shqipërinë në kontratën koncesionare, kreu një auditim të Bankers dhe procedurave të prokurimit të kompanisë për vitin 2011 dhe konkludoi se pjesa dërrmuese e shpenzimeve të kompanisë për këtë vit ishin të parregullta.
Në një raport të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, thuhet se Bankers duhet të derdhë në buxhetin e shtetit 60 milion dollarë tatim fitim, pasi përmes mashtrimit të bilanceve ajo ka deklaruar shpenzime të fryra dhe në shkelje të kontratës që ka me Shqipërinë. Për të shmangur taksat dhe fshehur fitimet, Bankers kishte sajuar 247 milion dollarë shpenzime.
Behar Çukaj pastroi paratë në ndërtim
Paratë e paligjshme që ka përfituar nga skema zhvatëse e Bankers, Behar Çukaj rezulton se i ka pastruar në ndërtim, mbi prona të grabitura. Një pjesë e parave dyshohet se i ka pastruar për ndërtimin e kompleksit me vila Tulipan në Farkë, disa nga të cilat i kanë blerë politikanë të korruptuar, drejtorë dhe figura të krimit të organizuar. Tulipani është hinka e parave të evazionit fiskal, korrupsionit dhe trafikut të kokainës.
Në vitin 2019, Behar Çukaj themeloi kompaninë e ndërtimit B & O Construction, me administrator Zaho Jaçaj, ish-Drejtor i Tatimeve Fier që i ka fshirë mbi 5 milionë euro detyrime tatimore me aktivitetin e import- tregtimin e karburanteve.
Në të njëjtën kohë, Behar Çukaj, i skeduar dhe i lakuar edhe si kontrabandist karburantesh, falsifikator cilësie e zhvatës nafte nga depozitat e Albpetrol, për pastrim parash dhe lidhje me dy El Chapo kokaine në Fier, i vuri syrin një sipërfaqe prej 50 mijë m2, në fshatin Mjull Bathore që i përket komunës Farkë, mes TEG dhe Saukut, për të ndërtuar kompleksin e vilave ‘Tulipan’.
Së pari, prona publike dhe private është denoncuar në mediat se është tjetërsuar me dokumente false, mbivendosje dhe zhdukje letrash, duke kaluar në disa duar dhe në fund në duart e Behar Çukajt.
Së dyti, kompanitë e Behar Çuakjt, edhe pse me bilanc zhvatje dhe kontrabande me vlerë dhjetëra milionë euro, kanë një kapital më pak se 9 milionë euro, ndërkohë që investimi për të ndërtuar kompleksin është rreth 90 milionë euro. Vlera e kapitalit të Bolv Group në raport me vlerën e investimit, ngre dyshime të forta për një operacion masiv të pastrimit të parave që janë produkt i aferës me Bankers dhe aktivitetet e tjera të paligjshme.
Në të njëjtën zonë, biznesmeni i naftës Behar Çukaj ka përlarë edhe 35 mijë m2 të tjera prona, duke aplikuar për leje për ndërtim vilash, disa nga të cilat për bosë të krimit të organizuar, trafikantë droge, ish ministra, deputetë dhe ish deputetë, drejtorë të korruptuar etj.
Kjo sipërfaqe prej 35 mijë m2 është përfituar me letra false bazuar në një dosje të prokurorisë në vitin 2011, pasuar në një vendim gjykate, ku janë dënuar disa nga falsifikatorët Masar Dushku, Fiqiri Dallashi dhe Halil Teqja, përgjegjës për administrimin e tokave të ish Komunës Farkë.
Jo vetëm kaq. Por, Behar Çukaj dyshohet se po ndërton edhe pa leje në këtë zonë nga ankthi për të mbyllur sa më shpejt kantierët e ndërtimit para ndonjë lëvizje të mundshme nga SPAK-u.
Ironia e madhe qëndron në faktin se i biri i Behar Çukajt, Olsi Çukaj, është parë disa herë te ‘Rruga e Salës’ për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti. Olsi ka qenë edhe kandidat për deputet i PD-së në Fier në vitin 2017, ku luftoi për Republikën e Re të Lulzim Bashës.
Teksa i biri fliste për regjimin e Edi Ramës, Behar Çukaj, përveç vjedhjes me Bankers, bënte kërdinë me tendera publikë me disa kompani të tij si Olsi shpk, Bolv Oil etj. Rreth 20 milionë euro tendera, Çukaj i ka marrë vetëm përmes kompanisë së hidrokarbureve Olsi shpk, kompani që mban emrin e të birit. Mbi 10 milionë euro tendera i ka marrë me kompaninë Bolv Oil. Mbi 20 tendera i ka marrë me kompaninë Autovizion, kamuluar me kompaninë Bolv Oil.