Ndryshimet në kabinetin qeverisës nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës ia kanë mundësuar Behar Selimit që të realizojë një dëshirë që e kishe shprehur kohë më parë: të bëhej ministër ose zëvendësministër.
Qeveria e Kosovës njoftoi të premten se tashmë ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, do të kalojë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa në vend të tij është emëruar ish-drejtori i Policisë, Behar Selimi.
Selimi në fakt kishte shprehur qysh para një viti dëshirën e tij që të merrte një post ministror në Qeverinë e Kosovës.
“Po flas natyrshëm dhe shumë njerëzisht: kam pritë me shfrytëzuar më shumë por u bë koalicioni dhe nuk na takoi Ministria e Brendshme. Kam pritë me u bë të paktën zëvendësministër i Punëve te Brendshme”, kishte thënë ai në mars të vitit 2016 në një intervistë për televizionin Rrokum.
Ndryshimet në Qeverinë e Kosovës janë bërë me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës. Përvec ndryshimeve në MPB, ndryshime ka pasur edhe në Ministrinë e Drejtësisë, ku zëvendësministër është emëruar Munir Berisha. Në këtë pozitë ai zëvendëson Lirak Celajn./Insajderi.com