Një sensor që quhet Lidar, me rrezet që prodhon godet objektet dhe sinjalet i përdor për të krijuar harta tre-dimensionale në kohë reale.
Kjo kuti e vogël e vendosur në pjesën e sipërme të veturës ka një qëllim të madh. Është një sensor që nëpërmjet rrezeve, lejon automjetin të shikojë rrugën pavarësisht nga njeriu.
“Lidar shfrytëzon teknologjinë e dritës duke lëshuar rreze nga sensori që godasin objektin. Rrezet pastaj kthehen në sensor dhe kështu mblidhen të dhëna për distancën dhe kohën. Ky proces vazhdon duke mbledhur shumë të dhëna nga të gjitha objektet e zonës përreth”,thotë Sally Frykman nga kompania Velodyne Lidar.
Kur vetura lëviz, sensorët Lidar grumbullojnë të dhëna përmes rrezeve dhe krijojnë hartën që lehtëson marrjen e vendimeve në komunikacion, kur duhet ulur shpejtësia, kur duhet shkelur gazi dhe kur duhet rrotulluar timoni.
“Pavarësisht nëse përpara ka një njeri, një qen apo një kamion, sensori Lidar i kthen në imazhe… Kjo është mënyra më e mirë për të përjetuar me shqisa botën përreth, duke e aplikuar këtë edhe në veturat vetëlëvizëse” , thotë Rick Tewell nga kompania Velodyne Lidar.
Jo të gjithë prodhuesit e veturave vet lëvizëse përdorin sensorin Lidar, i cili ka kohë që është në qarkullim dhe është përdorur për matjen e topografisë së Hënës. Kjo sepse çmimi mund të jetë i lartë. Pavarësisht teknologjisë që përdoret, shpresat janë që robotët të sjellin vozitje më të sigurt të veturës.
“Për ne si njerëz do të ishte më e sigurt dhe me më pak aksidente, duke pasur më pak vdekje në rrugët tona.”
Nevoja e shtimit të sigurisë në rrugë, ka nxitur prodhuesit e automjeteve të investojnë në teknologji, si sensori Lidar që i jep veturës sy mjaft të veçantë.