Është publikuar në media draft-marrëveshjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, e cila ishte arritur në gusht të vitit të kaluar por që është kundërshtuar fuqishëm nga paritë opozitare në vend.
Ratifikimi i saj është kusht për liberalizimin e vizave për kosovarët, ndërkohë që ajo ende nuk ka shkuar në kuvend për votim.
Kjo marrëveshje përmban 12 nene, sipas Klan Kosovës, përmes së cilave rregullohet çështja e kufirit mes dy vendeve.
Në hyrje të Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes Malit të Zi dhe Kosovës thuhet se kjo ujdi arrihet “Duke e dëshiruar zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve të mira miqësore dhe fqinjësore”.
Më tutje në marrëveshje shkruan se shtetet duhet të përmbushin disa obligime dhe se zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duhet bërë me mjete paqësore, pa kërcënime ose pa përdorim të forcës.
“Të udhëhequr nga dëshira për të përmbushur me ndërgjegje obligimet e tyre të pranuara sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, sidomos duke pasur parasysh respektimin e parimit të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë politike, dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me mjete paqësore, pa kërcënime ose pa përdorim të forcës”.
Në nenin e dytë të kësaj marrëveshjeje tregohen dokumentet mbi të cilat janë caktuar pikat e kufirit.
“Kufiri shtetëror në mes palëve shtrihet nga pika e tre kufijve me koordinata Y=7447537,16 dhe X=4743430,07, Mali i Zi, Republika e Kosovës e Serbisë në pjesën veriore, deri te pika e tre kufijve e Malit të Zi, Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë, në anën jugore me koordinata Y=7424584,69 dhe X=4712809,49. Koordinatat janë në sistemin koordinatë “GAUSS KRUGER”.
“Të dhënat mbi shtrirjen e kufirit shtetëror, janë të përfshira në dokumentet vijuese kufitare të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj Marrëveshjeje:
-Harta topografike në shkallën 1:25000 me vijën kufitare dhe koordinatat e pikave kthyese;
-Përshkrimi tekstual të shtrirjes së kufirit shtetëror në mes të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës; në rast të mospajtimit të përshkrimit tekstual të kufijve shtetëror dhe hartave topografike mbizotëron përshkrimi tekstual i kufirit shtetëror”.
Ndërkohë në nenin e tretë jepen arsyet që shpjegojnë pse kjo marrëveshje duhet të mbetet e pandryshuar.
“Palët janë të pajtimit që pozita e kufirit shtetëror, e përcaktuar në datën e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, mbetet e pandryshuar pavarësisht nga ndryshimet që mund të ndodhin në përrenjtë në terren, për shkak të shkaqeve natyrore ose artificiale”.
“Çdo ndryshim artificial i kufirit shtetëror ekskluzivisht i nënshtrohet marrëveshjes paraprake të palëve, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.
“Palët sigurojnë që të gjitha punimet e mundshme hidroteknike në lumenjtë kufitarë dhe përrenjtë, të cilët mund të kenë ndikim në ndryshimin e rrjedhës së ujit, do të kryhen vetëm me marrëveshje të ndërsjellë. Për të shmangur erozionin dhe ndryshimet e shtretërve të lumenjve dhe shtretërve të përrenjve përgjatë vijës së përbashkët kufitare, palët janë pajtuar që ata nuk do të bëjnë prerjen e drunjve, shkurreve dhe malit në sektorët për të cilat janë përgjegjës”.
Kurse në nenin e gjashtë kjo marrëveshje shpjegon detyrat e komisioneve shtetërore të të dy shteteve.
“Komisionet shtetërore të kufijve të palëve nxjerrin Udhëzimin e përbashkët për shënjimin e kufirit shtetëror, për mirëmbajtjen e vijës kufitare, të shenjave kufitare dhe të brezit kufitar”.
Në nenin e nëntë thuhet se “Mosmarrëveshjet eventuale lidhur me interpretimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje zgjidhen nga qeveritë e palëve, në rrugën diplomatike”.
Ndërsa në nenin 12-të dhe atë të fundit të kësaj marrëveshjeje thuhet se “Kjo marrëveshje i nënshtrohet ratifikimit dhe hyn në fuqi pas shkëmbimit të njoftimeve të fundi me shkrim, nëpërmjet rrugëve diplomatike, me të cilën palët njoftojnë njëra-tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore për hyrjen e saj në fuqi”.