Behgjet Pacolli: Një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Behgjet Pacolli: Një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës

    Insajderi
    26 March 2025 - 14:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-Presidenti, Behgjet Pacolli ka thënë se ka sigurar një njohje të re për Kosovën.

    Pacolli tha se një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

    Bëhet fjalë për Republikën e Kenias.

    “17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!

    Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të!

    Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”, tha ai.

    Pacolli i bëri thirrje Qeverisë që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian.

    “Kjo është diplomaci me rezultat. Kjo është Kosova që e respektojnë! Kjo është fitorja e dinjitetit tonë kombëtar në arenën ndërkombëtare!

    I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Repbulikën e Shqipërisë në Nairobi. Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore”, shkroi ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark