
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për qëndrime antiamerikane dhe për pozicionim përkrah politikave të Rusisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Behrami tha se Kurti e ka pranuar hapur kundërshtimin ndaj SHBA-së, duke e quajtur këtë “sinqeritet” të rrallë nga ana e tij. Ai e cilësoi të papranueshme deklaratën e kryeministrit se “sapo e forcuam sovranitetin dhe demokracinë, Amerika u çu kundër”, shkruan Insajderi.
“Amerika është epiqendra e demokracisë në botë, investuesi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës. SHBA ka ndërtuar Policinë, ushtrinë, AKI-në, ka trajnuar e armatosur forcat tona dhe ka investuar mbi 30 miliardë dollarë për të na bërë të lirë,” shkroi Behrami.
Deputeti i PDK-së e quajti Kurtin “mosmirënjohës kriminal”, duke theksuar se akuzat e tij ndaj SHBA-së përkojnë me narrativat e Rusisë dhe Kinës. Sipas tij, duke kundërshtuar SHBA-në, BE-në dhe vendet perëndimore, Kurti po e rreshton Kosovën në krah të politikave ruse.
“Ti je problemi më i madh që sot ka Kosova. Interesat amerikane asnjëherë nuk kanë qenë kundër interesave të Kosovës. Ti nuk i përfaqëson as interesat amerikane, as ato të Kosovës, por vetëm interesat e tua personale,” përfundoi Behrami. /Insajderi.org/