×
  • Lajme
  • Lajme

    Bekim Haxhiu drejtuar Ministrit Vitia: Me këtë ritëm do ta përfundoni mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të barnave

    Insajderi
    09 July 2024 - 11:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale ishte temë diskutimi në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Aty, të martën raportoi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili u kritikua nga partitë opozitare.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka thënë ministrit Vitia se me ecurinë aktuale të punës do ta përfundojë mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale.

    Deputeti i PDK-së në këtë komision ka thënë se lista ka pasur produkte me çmime shumëfish më të larta.

    “Në disa prej analizave që i kemi bërë të asaj liste, del që ka rritje shumëfish të çmimeve nga 100 %. I kemi pas këtu anëtaret e Komisionit, kanë thënë që ka pasur gabime teknike. Ka pasur rritje deri në 3000 %. Të proklamosh ulje të çmimit e të nënshkruash listë me çmime me të larta – kjo nuk ka logjikë. Me ketë ecuri të punës do ta përfundoni mandatin e nuk do të ketë listë të çmimeve”, ka thënë ai.

    Haxhiu po ashtu ka shtruar pyetjen se sa është dëmi nga reshjet në depon e barnave.

    Por ministri Vitia mohoi këto akuza të deputetit Haxhiu. Vitia ka thënë se ky ligj ka hyrë në vitin e kaluar e i cili përcakton çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën në Kosovës.

    Sipas tij ky ligj përkufizon sigurimin e kostos së përballueshme të produkteve dhe efikase për qytetarët.

    “Në gusht të vitit 2023 ka hyrë ligji në fuqi për çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën e Kosovës. Ky ligi përcakton çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën në Kosovës. Ky ligj është pjesërisht në përputhje me Direktivën 89/105 EEC për transparencën e masave për rregullimin e çmimeve për produkte medicinale për përdorim të njerëzit, si dhe përfshirjen e tyre në fushëveprimin e sistemit shtetëror të sigurimit shëndetësor. Ky ligj përkufizon sigurimin e kosto të përballueshme të produkteve medicione të nevojshme dhe efikase për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh Vitia.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark