Kosovari i paidentifikuar plotësisht për çështje sigurie, jetonte në Schaarbeerk të Brukselit, ndërsa me origjinë ishte nga Peja. Ai kishte lindur më 17 shkurt të vitit 1966, shkruan gazeta belge De Morgen.
Ndërsa portali Nieuwsblad.be kritikon kosovarin, duke thënë se ai iku një ditë pasi fitoi lotarinë, pa thënë asnjë fjalë, me shokët e tij.
“Ai iku vetëm një ditë pas fitimit të 168 milionë eurove, pasi shokët e tij e kuptuan se ai ishte fituesi i asaj shumë marramendëse të parave”, shkruan Nieuwsblad.be, raporton Insajderi.
Shokët e tij në Bruksel, i kanë thënë gazetës në fjalë, se kosovari 50-vjeçar i meritonte ato para për atë çfarë kishte kaluar në jetë.
“Është një shpërblim për të. Ai ka pasur një jetë të vështirë. Kur lufta filloi në Kosovë, ai jetonte në Pejë, një qytet me situatë të vështirë. Me gruan e tij dhe dy fëmijët, ai emigroi këtu. Familja e tij është e ndarë: dy vëllezër i ka në Gjermani, një në Kosovë, dhe një motër në Australi”, thotë njëri nga shokët e tij.
Ndërkaq, fqinjët e tij në Schaarbeek kanë mësuar se kosovari, tanimë milioner, ka lënë Belgjikën për të shkuar tek vëllai i tij në Gjermani.
Nuk dihet ende nëse ai do të qëndrojë përkohësisht në Gjermani apo do të kthehet sërish në Belgjikë, raporton De Morgen. /Insajderi.com