“Bello” dhe Dritan Rexhepi: Trafiku i kokainës në Evropë dhe tre arratisjet e 'bosit' të drogës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Bello” dhe Dritan Rexhepi: Trafiku i kokainës në Evropë dhe tre arratisjet e ‘bosit’ të drogës

    Insajderi
    12 January 2025 - 13:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Media britanike The Sun ka raportuar mbi arrestimin e Dritan Rexhepit, bosit të kompanisë “Bello”, i cili ka krijuar për herë të parë një rrjet të trafikut të kokainës në të gjithë Evropën. Shqiptarët, nën drejtimin e Rexhepit, kontrollonin të gjitha fazat e furnizimit dhe shpërndarjes së kokainës, duke e sjellë drogën nga Amerika Latine deri në vendet e Bashkimit Evropian.

    Ndërkohë, emra të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës kanë investuar paratë e fituara në ndërtimet në Tiranë, ndërsa janë duke u hetuar nga SPAK për skemat e pastrimit të parave.

    Shkrimi i The Sun për Dritan Rexhepin

    Një ish-student i drejtësisë, i cili përmbyti Britaninë e Madhe me drogë të cilësisë së parë ​​dhe vrau dy oficerë policie, është ekstraduar në Shqipëri.

    Gangsteri famëkeq Dritan Rexhepi – i konsideruar si “Mbreti i Kokainës” – ishte në arrati prej 27 vitesh dhe kërkohej në katër shtete.

    Dritan Rexhepi duke zbritur nga avioni që e solli në Shqipëri nga Turqia


    Rexhepi, 45 vjeç, ia doli të ishte gjithmonë një hap para ligjit, duke iu shmangur arrestimit dhe burgosjes për shumë nga krimet që kishte bërë në të gjithë Evropën.

    Përveç listës së gjatë të rekordeve kriminale, Rexhepi u bë i famshëm për arratisjet nga burgu – për të cilat mburrej se ishin më shumë se të bosit meksikan të drogës Joaquin Guzman Loera, i njohur më mirë si El Chapo.

    Ai gjithashtu dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e pamëshirshme të vëllait të një personi që i vodhi një ngarkesë prej 20 milionë paund kokainë në Angli dhe që i përkiste Rexhepit.

    “Mbreti i drogës” Rexhepi ishte në listën e më të kërkuarve të lëshuar nga Scotland Yard që nga viti 2013.

    Besohej se ai ishte fshehur në Britaninë e Madhe në atë kohë.

    Por qeveria shqiptare ia doli ta marrë para Italisë, Belgjikës dhe Britanisë dhe tani Rexhepi është ekstraduar nga Turqia.

    Pamjet që shpërndau policia treguan gangsterin në pranga dhe të rrethuar nga policët duke u shoqëruar në një avion.

    Një varg policësh të armatosur e takuan Rexhepin jashtë avionit në Shqipëri dhe ai u transferua në një burg.

    Ai akuzohet për vrasje, mbikëqyrje të rrëmbimit dhe ekzekutimit të një shqiptari tjetër, armëmbajtje pa leje dhe municione dhe trafik droge.

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare Ilir Proda tha për The Sun: “Ekstradimi i Dritan Rexhepit është një arritje e madhe dhe tregon besimin e policisë shqiptare tek partnerët tanë në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, është një shërbim i madh për drejtësinë shqiptare që dërgon një mesazh të qartë – asnjë i kërkuar shqiptar nuk mund të mendojë se është i sigurt aty ku fshihet jashtë vendit. Duam të falënderojmë kolegët tanë turq që bënë të mundur ekstradimin e tij në vendin tonë. Ky i arratisur i drejtësisë kërkohej edhe nga Italia. Ishte një konkurrencë e fortë me Italinë që do ta ekstradonte.”

    Lidhjet e Rexhepit me botën e krimit filluan që në vitet 1990, kur ai ishte ende adoleshent.

    Ai dyshohej se punonte si vrasës me kontratë – dhe u dënua për vrasjen e dy policëve në vitin 1998, por vetëm tani, 27 vjet më vonë, u kap nga policia shqiptare.

    Në vitin 2005, Rexhepi bëri një përpjekje për t’iu kthyer jetës normale duke u regjistruar në shkollën juridike.

    Megjithatë, vetëm një vit më vonë, u arrestua teksa ndodhej në një hotel luksoz në Tiranë me një pistoletë pa leje.

    Arratisja e parë në Shqipëri

    Por atë mbrëmje, Rexhepi organizoi të parën nga tre arratisjet e tij spektakolare duke hapur me gishta një bravë të prishur në dhomën e marrjes në pyetje.

    Në vitin 2013, ai u dënua në mungesë nga gjykata e Tiranës për vrasjen e policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1998.

    Rexhepi pretendoi se ishte detyruar të merrej me trafikun e drogës nga sistemi “i kalbur dhe i padrejtë” i drejtësisë në Shqipëri, i cili, sipas tij, e akuzoi gabimisht për vrasje.

    Ai zbuloi se për shkak se ishte një person i kërkuar, tregtia e narkotikëve ishte i vetmi “shans për të bërë diçka tjetër” me jetën e tij.

    Gangsteri vazhdoi të rivalizonte kartelet më të fuqishme të Meksikës, ndërsa krijoi një rrjet të madh trafiku kokaine që lidhte Kolumbinë me portet e Ekuadorit dhe rrugët e Evropës.

    I njohur si “kapoja i padiskutueshëm” i bandës kriminale me “Kompania Bello”, Rexhepi mbikqyri nga Ekuadori një operacion – ku ishin pjesë 14 organizata kriminale shqiptare.

    Profilet e Dritan Rexhepit të regjistruara nga policia
    Dritan Rexhepi, foto e policise

    Me kalimin e viteve, “Kompania Bello” u zhvillua dhe derisa po konsiderohej si një nga “autostradat e kokainës” në botë. Ajo arriti të kontrollonte të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe shpërndarjes së kokainës, në vend të asaj që bënin organizatat e tjera, të specializuara në vetëm një lidhje.

    Pasi Rexhepi u arrestua në Quito, kryeqyteti i Ekuadorit, në vitin 2014, ai vazhdoi ta drejtonte perandorinë e tij nëpërmjët telefonit të tij.

    Arratisja e dytë nga burgjet e Italisë

    Në vitin 2008, ai ishte arrestuar në Holandë dhe ishte ekstraduar në Itali për t’u dënuar për trafik kokaine.

    Rexhepi dhe dy të burgosur të tjerë sajuan një plan për t’u arratisur dhe në vitin 2011 sharruan hekurat e qelisë së tij dhe përdorën çarçafët e kuq si litar për të arritur në tokë përpara se të iknin.

    Tashmë një artist i talentuar i arratisjeve, ai u kap më vonë në Spanjë dhe u ekstradua në Belgjikë – ku ai kërkohej për një sërë krimesh të rënda.

    Arratisja e tretë nga burgjet e Belgjikës

    Por gardianët e burgut përsëri nuk arritën ta mbanin brenda. Kësaj radhe iku nga burgu i Antwerp duke u kacavjerrë mbi një mur të lartë rrethues.

    Burgu ku strehohej Rexhepi është ndër më të vjetrit në Belgjikë dhe nuk konsiderohet i përshtatshëm për kriminelët me rekorde të rënda.

    Në një raport pas arratisjes së tij, Ministri i Drejtësisë së Belgjikës justufikohej: “Për 120 persona janë vetëm dy roje, ndaj mundësia e arratisjes është shumë e madhe”.

    Rexhepi më pas i vuri syrin Mbretërisë së Bashkuar. Por menjëherë sapo mbërriti në ishull, Scotland Yard publikoi foton e tij dhe e quajti një nga 17 të huajt më të rrezikshëm.

    Policia në Mbretërinë e Bashkuar nuk arriti ta gjente gangsterin, përpara se ai të shkonte në Ekuador dhe të përfshihej atje në trafikun e drogës.

    Shkëlqimi dhe rënia në Ekuador

    Në qershor të vitit 2014, me një identitet dhe pamje tjetër, Rexhepi, me emrin e ndryshua Gramoz, u arrestua në Quito.

    Ai mbeti i paidentifikuar për më shumë se një muaj përpara se gjurmët e gishtërinjve të zbulonin se kush ishte.

    Ndërsa ishte në burg, Rexhepi kishte një celular me të cilin vazhdonte të dërgonte drogën e Cesar Emilio Montenegro Castillo në Evropë.

    Këto ishin edhe hapat e parë të rrjetit famëkeq që fshihej pas “Kompanisë Bello” – i përbërë tërësisht nga organizata kriminale shqiptare me bazë në Evropë.

    Për herë të parë, narkotikët shqiptarë nuk kishin nevojë për ndihmën e përfaqësuesve të krimit në Evropë, të karteleve të Amerikës së Jugut apo mafiozëve italianë.

    Droga dërgohej në Evropë, pasi hynte përmes porteve të Antwerp dhe Roterdamit, ndërsa paratë pastroheshin përmes sistemit kinez “fei ch’ien”.

    Anëtarët komunikonin duke përdorur shërbime të koduara dhe mbanin takime të shpeshta për të ideuar metoda të reja të transportit, duke iu shmangur syrit vigjilent të policisë.

    Secili anëtar duhej të pranonte zbatimin e disa rregullave, ndër to edhe ndëshkimin ndaj familjes në rast tradhtie.

    Krerët e bandave angazhoheshin në rekrutimin e ushtarëve të rinj mes shqiptarëve jashtë vendit, veçanërisht në Holandë dhe Itali.

    Rënia e bandës së drogës

    Nga pas hekurave, Rexhepi akuzohet se ka mbikqyrur rrëmbimin dhe ekzekutimin brutal të një tjetër shqiptari – Jan Prenga – në dhjetor 2019.

    Goditja e dyshuar dyshohej se lidhej me zhdukjen e një sasie të madhe kokaine në Angli.

    Në shtator 2019, një anije mallrash që transportonte banane u nis për në Britaninë e Madhe nga porti ekuadorian i Guayaquil.

    Por përveç frutave, ai mbante një kontenier të mbushur me kokainë me vlerë 20 milionë paund.

    Kur ngarkesa u zhduk në Britani, Rexhepi akuzoi për vjedhjen e saj, gangsterin rival shqiptar Ndrek Prenga, i cili ndodhej në Britaninë e Madhe.

    Për hakmarrje, Rexhepi dyshohet se ka urdhëruar një goditje ndaj vëllait të tij Janit, i cili u rrëmbye dhe u zhduk pak më vonë.

    Por në vitin 2020, Kompania Bello u çmontua nga Europol falë bashkëpunimit të 10 vendeve të ndryshme.

    Rexhepi ishte ende në burg – por u lirua në vitin 2021 dhe u ndalua të largohej nga Ekuadori.

    Ai u zhduk në Turqi dhe doli jashtë radarit për më shumë se dy vjet.

    Në nëntor 2023, ai u arrestua në një vilë me qira në Stamboll dhe filloi procedurat e ekstradimit.

    Më shumë se një vit më vonë, ai është kthyer në Shqipëri – ku mund të përballet me një dënim të gjatë me burg për krimet e tij./ Përshtati nga The Sun, Lapsi.al


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark