Kanë kaluar disa javë që kur është zbuluar se Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke ndërmarrë veprime hetimore ndaj kompanisë “Beni Dona Plast”, pronë e afaristit Ragip Mustafa, për shkak të dyshimeve se kjo kompani ka falsifikuar ISO certifikatat në dosje të tenderit për furnizimin me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gazeta Insajderi
Ministria e Mbrojtjes përmes një status të publikuar në faqen zyrtare në Facebook në dhjetor të vitit të kaluar ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar hetime lidhur me rastin.
Në këtë postim, ministria ka bërë të ditur se janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet e drejtësisë për të zbardhur rastin.
“Ministria e Mbrojtjes do të jetë në koordinim dhe do të ofroj ndihmë të vazhdueshme për të gjitha institucionet e drejtësisë, të cila janë duke u marr me rastin, si dhe kërkon nga organet kompetente që kjo çështje të marr sa më parë epilog ligjor. Në të njëjtën kohë, Ministria e Mbrojtjes është duke i konsideruar edhe hapat tjerë ligjor dhe administrativ lidhur me këtë kontratë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ky reagim ka ardhur pasi Hetuesi nga Policia e Kosovës ka alarmuar se kompania e kontraktuar për të ushqyer ushtarët e Kosovës është nën hetime për falsifikim të dokumenteve të cilësisë së ushqimit.
Lajmi:
Që nga ky publikim nga ana e ministrisë nuk është ndërmarr asnjë veprim, as nga minsitria po ashtu as nga organet hetuese.
Insajderi ka provuar të marr një përgjigje nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për procesin e hetimeve por nuk kanë kthyer përgjigje.
Po ashtu, përgjigje nuk kanë kthyer as nga kompania “Beni Dona”, ku Insajderi ka provuar të marr një përgjigje se a janë intervistuar ende.
E lidhur me njoftimin e ministrisë, Insjaderi ka kërkuar detaje shtesë, po nuk kanë kthyer përgjigje me arsyetimin se kanë qenë në pushim. Janë bërë disa javë që ministria ka heshtur.
E pronar i kompanisë, “Beni Dona Plast SH.P.K” është Ragip Mustafa i cili është edhe anëtar i Këshillit të përgjithshëm të LDK-së.
Në kohën kur i është dhënë tenderi, në ministrinë e Punëe të Brendshme ka qenë Agim Veliu, i cili është kujdesur që ta shpërblejë më kontratë në vlerë prej 200 mijë euro biznesmenin Ragip Mustafa.
Mustafa me biznesin e tij “Beni Dona Plast” ka fituar shumë tenderë nga Komuna e Prishtinës, derisa kjo e fundit është udhëhequr nga Isa Mustafa, ish-kreu i LDK-së, por edhe nga Ministritë që i ka drejtuar LDK-ja si: Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK-ja), etj.
Për këtë tender të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka shpallur fitues kompaninë “Beni Dona”, në fund të vitit 2020 ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), operatori ekonomik “Luzern”- Prishtinë, i cili pretendonte se Ministria e Punëve të Bredshme ia ka bërë të padrejtë.
Në seancën virtuale të OSHP-së të mbajtur më 21 janar 2021, përfaqësuesi i MPB-së, Armend Rugova, ka deklaruar se operatori ankues nuk i ka përmbushur kriteret e përcaktuara të tenderit. “Kërkesa ka qenë që operatori ekonomik t’i ketë 3 kuzhinierë dhe 2 zv/kuzhinierë. Operatori ankues ka ofruar vetëm dy kuzhinierë dhe ka luajtur me emrin e një zv/kuzhinieri”, ka deklaruar Rugova në seancën e OSHP-së.
Pesë ditë më vonë (26 janar 2021) Paneli Shqyertues i OSHP-së ia ka aprovuar si pjesërisht të pabazuar ankesën operatorit ekonomik “Luzern”. MPB-ja ka pasur afat 10 ditor që ta informojë me shkrim Panelin Shyqrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit.
Ministria e Forcës së Sigurisë, për tri herë radhazi kishte vendosur që kontrata t’i jepej grupit të operatorëve ekonomikë “Global Parajsa” dhe “Ciano Trading & Services”. Ata i kishte vlerësuar në të tri rastet si ofertues të përgjegjshëm.
Vlerësim i njëjtë nuk i ishte dhënë edhe kompanisë “Beni Dona Plast”.
Kontrata, tri herë me radhë, me vendime të OSHP-së, ishte kthyer në rivlerësim në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, e cila, më 19 dhjetor 2019, më në fund njoftoi se kontrata i është dhënë “Beni Dona Plast”.
Kompania e Ragip Mustafës, kishte fituar tendering me çmim prej 8.417.800.00 euro apo 1.206.800.00 euro çmim më i lartë sesa oferta e “Global Parajsa & Cianoo Trading & Services”, i cili për tri herë më parë ishte shpallur fitues.
Beteja kishte vazhduar në OSHP. Madje në seancën e fundit të mbajtur në OSHP, përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë “Global Parajsa” dhe “Ciano Trading & Services”, kishin ofruar dëshmi përmes të cilave pretendohej se “Beni Dona Plast” kishte falsifikuar dokumente, përkatësisht dy certifikata ISO.
Por këto pretendime të shpalosura në seancën publike të OSHP-së, nuk janë marrë fare parasysh nga paneli i OSHP-së.
ISO certifikatat e kontestuara, të deponuara nga “Beni Dona Plast”, figurojnë si të lëshuar nga “Royal Cert International”. Bëhet fjalë për certifikatën ISO 22000, dhe për certifikatën ISO 9001.
Por, drejtori i kompanisë gjermane “Royal Cert” Muhammet Alpan Namli, konfirmon se certifikatat e “Beni Dona Plast” nuk janë të lëshuara nga kompania e tij. Ai madje deklaron se nuk është në dijeni se kush i ka lëshuar certifikatat e falsifikuara.
/Gazeta Insajderi/