Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, tash deputet i PDK-së, Besim Beqaj është personazh kryesor në serinë e XII të “Dosjes së Shefave” për çka prokuroria ka nisur hetimet, por Beqaj ka shfrytëzuar një paraqitje televizive për t’io bërë thirrje prokurorisë për të hetuar “Dosjen…”.
Në “Dosjen e Shefave” publikuar nga gazeta online Insajderi, Beqaj në bashkëbisedim me Adem Grabovcin, pasi kishin marrë kompetenca të plota nga Hashim Thaçi, që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre, e bëjnë këtë përmes një telefonate.
Një seri përgjimesh telefonike të Grabovcit dhe Beqajt dëshmojnë këto plane që ishin finalizuar me emërime.
Besim Beqaj, po hetohet për përfshirje në këto emërime, dhe keqpërdorimin e Trustit pensional.
“Është bërë shumë mirë [për nisjen e hetimeve] dhe thërras prokurorinë për argumente dhe besoj se nuk duhet të zhagitet ky proces. Unë besoj në sistemin e drejtësisë. Prokuroria nuk më ka ftuar, por do të shkoja. Do të shkoj për t’u sqaruar sepse nuk jam person që merrem me spekulime. Duhet të shkohet deri në fund”, ka thënë Beqaj në emisionin “Interaktiv”.
Dy krerët e lartë të PDK-së, kishin qëllim që të sillnin njerëzit e tyre. Agron Thaçin, që vazhdon ta mbajë pozitën e kryeshefit të Infrakosit, e kishin përzgjedhur për këtë pozitë si njëri të besueshëm që do të punonte për interesat e tyre.
Ndërkohë, Sejdi Hoxhën, nipin e Azem Sylës do ta sistemonin në krye të Postës së Kosovës.
“Unë nuk kam marr asnjë njoftim me shkrim dhe nuk e di se cila është pista e hetimeve. Kam parë nëpër media”, ka shtuar ai.
Në serinë e dymbdhjëdhjetë të përgjimeve telefonike “Dosja e Shefave”, Insajderi sjell bisedat e përgjuara të Adem Grabovcit me Besim Beqajn.
Ato, dëshmojnë për kontrollin e plotë që pushteti i PDK-së kishte mbi ndërmarrjet publike, e bordet e tyre. Beqaj, ndonëse tregohet i kujdesshëm kur flet, megjithatë zbulohet duke bërë plane për vendosje të njerëzve që përfaqësonin interesin e tyre në këto ndërmarrje multimilionëshe./Insajderi.com