Beqiri: LVV-së s’i intereson Prishtina, ia rrezikon 21 milionë euro – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Beqiri: LVV-së s’i intereson Prishtina, ia rrezikon 21 milionë euro

    Insajderi
    01 December 2016 - 11:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mungesa e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në sallën e Kuvendit kur kërkoheshin 80 vota për ta miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka nxitur reagimin e shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

    Ai ka thënë se me këtë marrëveshje, ngrohtorja Termokos, që është pjesë e Komunës së Prishtinës, përfiton rreth 21 milionë euro.

    Beqiri i ka akuzuar deputetët e Vetëvendosjes, duke thënë se, ata që flasin më së shumti për Prishtinës, ia rrezikojnë milionat.

    “Do të doja me thanë para opinionit se kjo pikë dhe marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme. Po du me thanë se deputetët që nuk janë në sallë dhe që janë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, le ta dinë qytetarët se është, mes tjerash, në këtë pako të ndihmës që e marrim nga Bashkimi Evropian janë edhe 33 milionë euro për energji, dhe prej tyre janë 21 milionë euro që janë për Termokosin në Prishtinë dhe në Gjalovë”, ka thënë Beqiri.

    “Kur flasim për Prishtinën le ta dinë qytetarët e Prishtinës se këta zotërinjtë që e udhëheqin Prishtinën më së paku mendojnë për Prishtinën, e sot i rrezikojnë t’ia humbin 21 milionë euro”, ka shtuar ai.

    Ai ka falënderuar deputetët e AAK-së dhe të Nismës, të cilët kanë qenë në sallë edhe kanë votuar, duke u bërë vota të mjaftueshme. Sipas tij, kjo tregon nivelin e lartë të përgjegjësisë institucionale.

    Beqiri ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes gjithçka po e politizojnë.

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se këtë që e kanë bërë sot, e kanë bërë edhe herëve të kaluara.

    “AAK-ja do të jetë mbështetëse e fuqishme për të gjitha proceset pozitive për qytetarët  e vendit, por çdoherë do ta kundërshtojmë të keqën e këtij vendi”, ka thënë Lekaj.

    Edhe shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, ia ka rikujtuar koalicionit qeverisës së jo gjithmonë u kryjnë punë numrat e votave që i kanë.

    “Nisma çdoherë ka qenë pjesë e vendimmarrjes dhe të gjitha projektet, edhe rrugën drejt BE-së që po synojnë ta kemi. Mirëpo, edhe pozita duhet ta ketë të qartë se jo çdoherë kryejnë punë numrat e tyre. Pra ne jemi për këtë marrëveshje dhe për të gjitha marrëveshjet që janë në të mirë të qytetarëve dhe të vendit”, ka thënë deputetja Bajrami.

    Megjithatë, Kuvendi me 81 vota ‘për’ arriti ta miratoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për të cilin nevojiteshin 80 vota./Insajeri.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark