Nga Elbasani lideri historik i së djathtës Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të ngrihen dhe të bashkohen për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij regjimi, që ai e quajti banditokraci.
“Kjo foltore është dritë shprese për PD, Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Vij sot më i motivuar se kurrë. Për t’u dëshmuar shqiptarëve që ne jemi jo vetëm demokratë të idealeve fisnike njerëzore kombëtare, por jemi në këmbë më të vendosur se kurrë në mbrojtjen e tyre në piedestalin që meritojnë. Sot është një thirrje e brendshme e ndërgjegjes së çdo demokrati e shqiptari. Duhet të ngrihemi, të bashkohemi, të hapemi në mënyrë që t’i japim përgjigjen më të merituar kësaj situate dramatike të krijuar nga vendosja në Shqipëri e një regjimi që në të gjitha traktatet e politologjisë ka vetëm një emër; banditokraci”, raporton A2.
Dy ditës pas Gjirokastrës, në turin e radhës të Foltores, Berisha u kërkoi të gjithë demokratëve që të firmosin mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike për të rikthyer sovranitetin dhe për bashkimin e të gjithë demokratëve që kanë dhënë kontribut që nga viti 1991.
Kam kërkesë të firmosni mbledhjen e kuvendit të Partisë Demokratike, mund ta quani edhe Kuvendin e rithemelimit të PD. Ata që përzunë votën e lirë nga PD i bënë asaj një dëmtim të jashtëzakonshëm. Ne do të rikthejmë votën dhe vullnetin tuaj dhe me votën tuaj të lirë do të përcaktoni deputetët dhe renditjen e tyre do të përcaktoni drejtuesit e degës dhe këshilltarët e qeveritarët vendorë. Kryetari në statut ka vendosur që këshilltarët duhet t’i miratojë kryetari i partisë këto janë absurditete që nuk i kisha dëgjuar ndonjëherë. Nuk është kusht që kryetari partisë të jetë dhe kryeministër, le të vendosë anëtarësia ajo mban përgjegjësinë për të mbështetur këtë lokomotivë në zhvillimin e vendit. Kryetari nuk mund të marrë vendime duke shkelmuar statutin. Partitë Demokratike i kanë të rralla përjashtimet. Kryetari ka të drejtë të udhëheqë jo të marrë masa ndaj teje. Kjo betejë është për t’u bashkuar, ne nuk duam të largojmë njerëz ne duam të bashkohemi me të gjithë demokratë që kanë vendosur një tullë nga 91-sot. Cilido që ka vlerësim për votën dhe konsideron thelbin e lirisë e konsideron jetike për forcën politike është i mirëpritur në PD. Ata që thonë se s’duhet vota janë mercenarë. Ne kemi 30 vjet pluralizëm dhe nuk e dorëzojmë kurrë”.
Ai i çoi mesazh jo vetëm kreut aktual të PD-së por edhe kryeministrit Rama që të mos luajë me pluralizmin politik, ndërsa e akuzoi edhe si orkestrues të asgjësimin të pluralizmit në Shqipëri, por pa kursyer edhe akuzat ndaj Bashës.
“I themi Ramës të mos luajë me pluralizmin politik në Shqipëri nuk do merremi me pengun, por do merremi 5 herë më shumë me pengmarrësin. Në një akt të pashembullt në historinë e pluralizmit Edi Rama orkestron asgjësimin e pluralizmit në Shqipëri, pengu i tij deklaron se vendimin për Berishën e mora vetë kur nuk mund ta merrte vetë se statuti ua kishte dhënë këtë atribut forumeve dhe Këshillit Kombëtar të PD; e mora vetë për të shpëtuar karrigen siç bëri me zgjedhjet”.
Sipas Berishës diferenca midis demokratëve dhe socialistëve është në favor të PS, më e madhe se në 1997 dhe përgjegjësinë për këtë ia faturoi Bashës.
“Në 2021 diferenca mjerisht midis demokratëve dhe socialistë është në favor të PS, më e madhe se në 1997. Në 97 kjo diferencë ishte 70-80 mijë vota në këto zgjedhjet kaloi 100 mijë vota. Dhe ky lidershipi injoroi batërdinë zgjedhore dhe u mor me zgjedhjen e tij. Në këto i kushte demokratë jemi para një misioni të ri që është shpëtimi i pluralizmit. Nuk ekziston pluralizëm nëse nuk ngrihemi fuqishëm fillimisht si parti opozitare dhe pastaj të hedhim mënjanë këtë regjim, më i keqi që kanë patur shqiptarët deri më sot. Ne synojmë me këtë foltore të rivendosim sovranitetin tonë. Sovraniteti nuk është verbëri, por të mbrojmë lirshëm mendimet, idealet dhe idetë që kemi. Të vendosim, të votojmë të lirë për to dhe jo pse thotë kryetari. Dhe në këtë formë ti je partner i denjë për çdo forcë politike në botë. Sovraniteti është jetik për të mos qenë një forcë zvarranike. E gjithë propaganda e qeverisë është lëshuar më mbrojtje të pengut të saj. Të gjitha tezat janë se këta demokratët s’duhet të votojnë se nuk ka rëndësi vota dhe statuti i tyre. Ne jemi këtu për t’u ngritur dhe rivendosur PD në këmbë për ta ngritur atë ashtu siç e themeluam. Ne forcën e gjejmë para së gjithash te vota e lirë”.