Kreu i PD Sali Berisha deklaroi në mbledhjen me grupin parlamentar se kanë përgatitur një ligj që ka parashikuar “dënimin për këdo që flet për Prind 1 dhe Prind 2”.
“Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Në mënyrë që t’i japim fund çdo lloj tentative dhe përpjekje. Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione. Këto janë vetëm fillimet, këta e kanë shtrirë në shkolla, e kanë shtrirë në falsifikimin e historisë, uoke është bërë një rrymë e veçantë jo vetëm në media, por është degëzuar në shumë drejtime. Lufta me kulturën uoke do jetë një betejë pa kompromis e jona. Është beteja për të vërtetën. Ne nuk kërkojmë asnjë deformim. Gjërat siç janë”, deklaroi Berisha.
Në mbledhjen e sotme u diskutua edhe për protestën që pritet të mbahet më 8 Shkurt. Sipas ish-kryeministrit, në këtë ditë opozita do të tregojë të gjithë fuqinë në mbrojtje të votës së lirë dhe për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.