Lideri historik i Partisë Demokratikë në Shqipëri, Sali Berisha e ka quajtur akt historik vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.
Berisha në një shënim në Facebook thotë se në të njëjtën kohë ky akt është një goditje e rëndë për Serbinë.
Ish-kryeministri Berisha ka kujtuar edhe ndërmjetësimin e ish-presidentit të SHBA, Donald Trump për njohjen e Izraelit.
Postimi i plotë i Berishës:
“Ditë historike për Kosovën dhe Kombin!
Ky është një akt i një rëndësie të veçantë për Kosovën dhe kombin shqiptar, dëshmi e një vullneti të dyanshëm për një të ardhme miqësore e të shkëlqyer midis dy vendeve dhe dy kombeve që kanë një trashëgimi të çmuar në marrëdhëniet dhe qëndrimin ndaj njëri tjetrit.
Në të njëjtën kohë ky akt është një goditje e rëndë për Beogradin dhe projektin e tij të serbomadhisë.
Marrëveshja u bë e mundur me ndërmjetësimin direkt të ish Presidentit të SHBA, Donald Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe vendimi u mor me datën 4 shtator 2020, gjatë takimit të delegacionit të Republikës së Kosovës të kryesuar nga kryeministri Hoti me ish presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Miku i Zografit Bis, serbomadhi Aleksander Vuçiç bëri gjithçka për të minuar zbatimin e kësaj marrëveshje por dështoi me turp.
Duke përfunduar miq, le të shprehim ne mirënjohje të thellë ndaj të gjithë atyre që e bënë të mundur këtë akt tejet të rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve.
Zoti i bekoftë Kosovën, Izraelin, shqiptarët dhe hebrenjtë kudo që janë! Urime!”, ka shkruar Berisha.