
Deputeti nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, ka shprehur shqetësimin për vonesat në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se mungesa e një marrëveshjeje politike po pengon procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, transmeton Insajderi.
Sipas tij, konstituimi i Kuvendit është thelbësor për të nisur afatet kushtetuese për krijimin e ekzekutivit.
Berisha ka kritikuar mungesën e progresit në takimet ndërpartiake, duke theksuar se diskutimet nuk po sjellin rezultate konkrete.
“Për mua është shumë me rëndësi me u formu Kuvendi, me u formu kryesia e Kuvendit, për shkak se sa më parë formohet Kuvendi, rrjedhin afatet për formimin e Qeverisë,” ka deklaruar Berisha
Ai ka paralajmëruar se pjesëmarrja e tij në seancat parlamentare nuk do të ketë kuptim pa një marrëveshje të qartë politike, të cilën është i gatshëm ta përkrahë, cilado qoftë ajo.
“Nëse edhe sot nuk ndryshon situata, nuk ka me pasur kuptim me shku në Kuvend kur ne po e dijmë verdiktin. Do të thotë veç me shku, me votu dhe nuk ndryshon asgjë. Unë jam mos me shkuar në seancë, pa e pasur një marrëveshje politike dhe cila do marrëveshje që është unë do e përkrahi,” përfundoi ai.