Ish-kryeministri Sali Berisha, në një prononcim për mediat jashtë Parlamentit, ka akuzuar kryeministrin Rama se nuk e do reformën në drejtësi.
“Reformën po e bllokojnë veshëgjatët. Tek qytetarët s’ka neglur njeri që nuk e di. Kam keqardhje sepse mendoj se është bërë një punë e jashtëzakonshme”, ka thënë Berisha.
Edhe pse është shprehur optimist për miratimin e saj, Berisha ka preferuar të mos paragjykojë rezultatin, me argumentin se negociatat janë ende në zhvillim.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ish-kryeministri ka theksuar se, ishte Rama që në minutat e fundit shkeli marrëveshjen e xhentëllmenëve.
“Kishte një marrëveshje xhentëllmenësh, por pala tjetër thotë jo. E mohon marrëveshjen. Është një keqardhje e madhe që ajo shkelmohet. Tani po mundohemi të gjejmë zgjidhje të tjera me vetëm një kusht, të mos ketë kapje”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, mosprania e Ramës në tryezën e negociatave tregon se, “ai është i dëshpëruar dhe se s’ka nerva për negociata”. “Kushte të reja nga opozita nuk ka, ka vetëm moskapje”, ka vijuar Berisha.
Ai ka mohuar votimin e reformës në mënyrë individuale. “Asnjë nga deputetët e PD nuk do ta votojë në mënyrë individuale”, ka shtuar ai. / TCh