
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka paralajmëruar për Insajderin se situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë një rritje ekstreme të çmimeve të naftës në tregun botëror, përfshirë edhe Kosovën.
“Me rastin e ndonjë sulmi të drejtpërdrejtë ndaj Iranit nga SHBA-të, ka gjasa reale që çmimet e derivateve të rriten në mënyrë ekstreme. Rreziku për një krizë globale të naftës është më i madh se kurrë më parë”, tha Berjani.
Sipas tij, tensionet mes Izraelit dhe Iranit tashmë kanë filluar të reflektohen në tregjet ndërkombëtare, duke krijuar frikë për ndërprerje të furnizimit dhe kështu duke ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e çmimeve.
“Irani prodhon një pjesë të madhe të naftës në botë dhe kontrollon ngushticën e Hormuzit – një pikë kritike për qarkullimin e afro 20% të naftës globale. Çdo eskalim në këtë zonë ndikon menjëherë në çmimet”, theksoi ai.
Megjithatë, Berjani siguroi se Kosova, aktualisht, qëndron ndër vendet me çmimet më të ulëta në rajon, përkundër që importon të gjithë naftën nga jashtë.
“Qytetarët tanë nuk kanë nevojë për panik. Në këtë krizë globale, Kosova po furnizohet me çmimet më të lira në regjion – përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka akcizë më të ulët për rreth 20 cent.”
Sipas tij çmimet aktuale të naftës në Kosovë janë: Diesel 1.22 euro – 1.32 euro ndërsa benzinë 1.21 euro – 1.31 euro.
Ndërsa në vendet fqinje janë shumë më të larta: Shqipëri: Diesel – 1.91€, Benzinë – 1.94€, Serbi: Diesel – 1.81€, Benzinë – 1.84€, Mali i Zi: Diesel – 1.51€, Benzinë – 1.54€, Bosnje: Diesel – 1.48€, Benzinë – 1.49€, Maqedoni e Veriut: Diesel – 1.18€, Benzinë – 1.22€
“Kosova renditet e dyta për çmimet më të ulëta në rajon, menjëherë pas Maqedonisë së Veriut”, tha Berjani.