Për të tretin sezon me radhë, skuadra e Milanit nuk do të luajë në Kupat e Europës. Edhe pse mbrëmë kuqezinjtë iu afruan shumë Europës, nuk arritën të bëjnë realitet ëndrrën, për të fituar në finale e Kupës së Italisë. Kuqezinjtë u mundën nga Juventusi në kohën shtesë, humbje që erdhi para syve të presidentit Silvio Berlusconi. Ai ka pranuar dështimin e Milanit, duke thënë: “Sezon për t’u harruar sa më shpejt. E ardhmja e të gjithëve te Milani është në dyshim edhe e Brocchi. Nuk e di nëse trajneri do të qëndrojë, të shohim javës tjetër se si do të vendosim”, tha Berlusconi, përcjellë Telesport.al.
Brocchi erdhi një muaj më parë në stolin e Milanit, duke zënë vendin e Sinisa Mihajlovic, por paraqitja e ish-trajnerit të të rinjve të Milanit la shumë për të dëshiruar. Megjithatë, në fund të ndeshjes, presidenti Silvio Berlusconi ka takuar skuadrën në dhomat e zhveshjes dhe e ka përgëzuar për lojën. “Kur fitohet të gjithë flasin dhe janë të lumtur. Kur humbasim heshtim. Megjithatë, Milani bëri një ndeshje të mirë, rivalizoi ndaj skuadrës kampione të Italisë dhe me pak fat mund të kish fituar. Për lojën që treguan unë dua të përgëzoj skuadrën”, u shpreh presidenti i Milanit. (Telesport.al)