Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar sot se Bashkimi Evropian aktualisht “nuk po bën asgjë, ose po bën shumë pak” për “çështjen e Kosovës”, raporton gazeta serbe Danas.
“Nuk kam asgjë të mirë për të thënë për sjelljen e Evropës, për sjelljen e BE -së, dhe mbi të gjitha mendoj se Marrëveshja e Brukselit është një çështje e BE -së. Nënshkrimi i tyre është në Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Bërnabiq .
Ajo gjithashtu ka pretenduar se “Marrëveshja e Brukselit është shkelur qartë në Kosovë, sepse nuk duhet të ketë njësi speciale të ROSU në veri të Kosovës, dhe Asocioacioni i Komunave Serbe nuk është formuar as nëntë vjet pas asaj marrëveshjeje”.
Ajo vlerësoi se BE “jo vetëm që toleron Marrëveshjen e Brukselit që nuk zbatohet për nëntë vjet, por hesht për shkeljen e qartë të saj”.
“Dhe pastaj BE thotë në një nga takimet në Nju Jork ku isha edhe unë, çfarë mund të bëjmë për të zvogëluar përshkallëzimin? Epo ju mund ta respektoni fjalën tuaj, ju mund ta bëni atë. Si fillim, pas gati nëntë vjetësh, të thuani, pasi jeni garantues i Marrëveshjes së Brukselit, të garantoni zbatimin e saj, dhe ajo që kemi aktualisht do të zhdukej në pesë minuta”, kushtëzon Bërnabiq./Insajderi.org.