Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq deklaroi sot se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është gjëja më e rëndësishme, “sepse garanton sigurinë e serbëve në Kosovë, por gjithashtu se është një parakusht për sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”.
Bërnabiq ka deklaruar për televizionin serb “TV Pink” se, “për fat të keq, është e pamundur të flasësh me Kryeministrin e Institucioneve të Përkohshme të Prishtinës, Albin Kurti, sepse gjatë bisedës duket se ai nuk e sheh qëllimin e këtij dialogu”.
“Është një situatë e vështirë për të gjithë rajonin dhe ne e kemi parë atë në shembullin që nuk kemi pasur ndonjë marrëveshje të re në rajon për gati tërë vitin e fundit”, ka thënë Bërnabiq.
Bërnabiq ka pretenduar se “Beogradi këmbëngul në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, si dhe se çështja themelore për vazhdimin e dialogut është formimi i Asociacionit të komunave serbe”.
Sipas fjalëve të saj, “Beogradi është i gatshëm që gjithashtu të diskutojë për çështjet tjera, për personat e zhdukur, çështjet e energjisë, kthimit, problemet, për incidentet kundër serbëve”. “Por çështja e parë dhe themelore është Asociacioni i komunave serbe, sepse nëse nuk doni të formoni ASK, ikni nga zbatimi i marrëveshjes së Brukselit, e cila është marrëveshja e parë për normalizimin. Si prisni të diskutojmë një marrëveshje tjera, nëse nuk e duam për të parën. Nuk besoj që dikush dëshiron këtë sepse kjo do të nënkuptojë se ne do të ktheheshim në vitin në 2012”, ka pretenduar Bërnabiq./Insajderi.org.