Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se viti 2021 duhet të ishte “shumë i mirë për bashkëpunimin rajonal, por që gjithçka ka ndryshuar pas zgjedhjeve në Kosovë, veçanërisht për shkak të Kryeministrit Albin Kurti”, dhe paralajmëroi se mund të ndodh që më 5 korrik, të mos nënshkruhen katër marrëveshje të rëndësishme “për shkak të tij” pasi ai kërkon që Kosova të shënohet si Republika e Kosovës”, raporton agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.
“Në vend që të festojmë për suksesin e bashkëpunimit rajonal këtë vit, për fat të keq me ardhjen e pushtetit të ri në Prishtinë, bashkëpunimi rajonal ka një ton tjetër”, ka thënë Bërnabiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit Samir Tandir në parlamentin serb rreth rezultateve të takimeve të fundit në Antalia, Vjenë dhe Luksemburg.
Ajo ka deklaruar se pret që në takimin e parë të rëndësishëm më 5 korrik, brenda Procesit të Berlinit, katër marrëveshje për të cilat është punuar për një kohë shumë të gjatë, mund të mos miratohen pasi Kurti insiston që Kosova të paraqitet si Republika e Kosovës, e “që do të ishte një goditje shumë e madhe për bashkëpunimin rajonal”.
“Jo vetëm se ne mendojmë që kjo është një gjë e keqe, por të gjithë në rajon, si ata që njohën Kosovën ashtu edhe ata që nuk e njohën. Të gjithë mendojnë se është gjë e keqe për rajonin dhe bashkëpunimin rajonal”, ka thënë Bërnabiq.
Ajo ka pretenduar se marrëveshja më konkrete rajonale këtë vit është ajo për heqjen e roamingut, e cila është një “sukses i madh rajonal”, ajo shtoi se prejse ka ardhur në pushtet, “për Kurtin nuk ka asnjë deklaratë, asnjë marrëveshje”, sepse ai nuk pranon asgjë nëse Kosova nuk prezantohet si Republika e Kosovës”./Insajderi.org.