Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq ka deklaruar se nuk është e arsyeshme të zbulohen të gjitha letrat në lidhje me zgjidhjen e marrëdhënieve me Kosovën, por se “dihet se cilat janë vijat e kuqe”, transmeton agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.
“Dhe pastaj hyni në negociata”, ka thënë Bërnabiq në parlamentin serb, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të pavarur Vllado Gllishiq rreth platformës për Kosovën, i cili vlerësoi se Serbia më së shumti reagon ndaj propozimeve nga Prishtina.
Kryeministrja serbe ka thënë se gjithçka në lidhje me dialogun me “institucionet e Prishtinës” përmbahet në Kushtetutën e Serbisë, dhe ky është pozicioni që, siç thotë ajo, “ruhet dhe mbrohet, mbi të gjitha nga presidenti ynë Aleksandar Vuçiq i cili po udhëheq negociatat”.
“Ne po veprojmë në përputhje me të vërtetën, dhe kjo është se Kosova është krahinë brenda Serbisë”, pretendon Bërnabiq.
Ajo ka thënë se është e paqartë për të se “dikush vazhdimisht po këmbëngul që të thuhet se cilat janë pozicionet tona dhe kështu që ne të humbnim çdo mundësi për të fituar diçka në dialog”.
“Unë nuk do t’i zbuloj letrat tona. Unë e di cilat janë pozicionet tona, por mendoj se këto bisedime po ndodhin në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, ne po përpiqemi të mbrojmë paqen, stabilitetin afatgjatë dhe të shpëtojmë atë që mund të shpëtohet”, ka thënë Bërnabiq./Insajderi.org.